English

Dosja "50 mijë lekë për një veshkë", gati gjyqi për mjekun e akuzuar

Tiranë, 1 Nëntor NOA - Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen hetimore në ngarkim të mjekut urolog, Kastriot Dautaj.

Mjeku akuzohet nga organi i akuzës për veprën penale të "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".

Dosja është hedhur në shortin elektronik dhe i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Ilir Çeliku, i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare nga gjykata.

Dautaj është arrestuar në sajë të operacionit të koduar "Veshka e Humbur" më 7 korrik të vitit të kaluar.

Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria ka rezultuar se tre ditë më parë se të vihej në pranga, Dautaj, 66-vjeç kishte shtruar në spital pacienten Luljeta Hoxha, ku do t'i kryente disa ekzaminime përpara se ta operonte.

Ditën e arrestimit, pasi ka kryer edhe ndërhyrjen kirurgjikale në veshkë, mjeku ka përfituar shumën prej 50 mijë lekësh nga i ati i vajzës, ku dyshohet se ja kishte kërkuar këtij të fundit.

Prokuroria kishte nisur hetimet shtatë muaj më parë në lidhje me aktivitetin e mjekut, duke përdorur metoda specifike të hetimit.

Organi i akuzës ka disa prova në ngarkim të Dautaj, i cili nuk e ka pranuar krimin duke pretenduar se lekët ia kanë vënë në xhep pa e ditur. Â

e.r/NOA

KOMENTE