Lufta kundër fantazmës së Vietnamit është shndërruar në prioritet urgjent ushtarak. Nëse e humbë betejën, Obama do ta humbë edhe luftën
Nga "The Telegraph" Një fantazmë po qarkullon nëpër Dhomën e Situatës të Shtëpisë së Bardhë, në momentin kur presidenti amerikan, Barack Obama, po vret mendjen për atë se çfarë të bëjë më tutje në Afganistan: fantazma e luftës në Vietnam, plagës historike të SHBA-ve. Me lehtësi mund të bëhen krahasime mes këtyre dy konflikteve, por është vështirë të shmangen ato. Një betejë e paparashikueshme, në një terren tejet të vështirë, qeveritë e dobëta dhe të korruptuara, të cilat mbahen gjallë me ndihmën e armëve dhe parave amerikane, kundërshtari i vështirë, i aftësuar për luftë guerile, me strehimore në shtetet fqinje. Qëndrimi i opinionit publik në SHBA rreth luftës në Afganistan ka filluar të zhvendoset, në të njëjtën mënyrë si në rastin e luftës në Vietnam. Numri i humbjeve po shtohet, me 55 ushtarë amerikanë të vrarë në Afganistan, vetëm gjatë këtij muaji. Lufta papritmas po bartet në SHBA, në formën e arkivoleve. Zyrtari i parë i lartë tashmë ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste kundër luftës, e cila mund të dëshmohet si një luftë që nuk mund të fitohet. "Nuk po e shoh vlerën e vazhdimit të humbjes, apo të sakrificave amerikane në këtë luftë qytetare", theksoi Matheë Hoh, një ish-marins i dekoruar, i cili javën e kaluar vendosi të japë dorëheqje nga shërbimi i jashtëm i SHBA-ve. Këto fjalë të tija kanë mundur të thuhen edhe në vitin 1969. Paralelet më të rëndësishme me Vietnamin nuk janë as taktike, e as praktike, por kulturore dhe emocionale. Amerikanët për nga natyra nuk janë njerëz të cilët hedhin shikimin prapa, por trauma e Vietnamit është e ngulitur në kujtesën kombëtare si asnjë ngjarje tjetër në historinë e SHBA-ve. Obama i takon gjeneratës pas Vietnamit, por edhe ajo është e ndjekur. Muajin e kaluar, ai deklaroi: "Kurrë nuk zhytesh dy herë në të njëjtin lumë, prandaj Afganistani nuk është Vietnam. Por, çështja për të cilën mendoj gjatë gjithë kohës është mungesa e synimeve të qarta dhe mungesa e përkrahjes së popullit amerikan". Këto fjalë theksojnë në mënyrë të përkryer shqetësimin, i cili po tendosë nervat në Shtëpinë e Bardhë, vendosmërinë për t'iu shmangur përsëritjes së gabimeve të bëra në Vietnam, por edhe paaftësinë për ta shikuar konfliktin nga një këndvështrim tjetër. Pas luftës në Gji, ish-presidenti George Bush, deklaroi - dhe e kishte gabim - se "Amerika një herë e përgjithmonë u shkëput nga sindroma e Vietnamit". Megjithatë, të tjerët theksojnë se analogjia e Vietnamit shfrytëzohet sa herë që SHBA-të hyjnë në luftë. Gjatë 25 viteve të kaluara, ajo është nxjerrë në sipërfaqe si reagim ndaj operacioneve ushtarake të SHBA-ve në Liban, El Salvador, Somali, Bosnje, Haiti, Kosovë dhe Irak. Sa i përket përmasave, Afganistani ende nuk mund të krahasohet me Vietnamin, në të cilën luftë ishin angazhuar 500 mijë ushtarë dhe gjatë së cilës u vranë 58 mijë ushtarë amerikanë. Që nga viti 2001, në Afganistan kanë vdekur më pak se 1 mijë ushtarë amerikanë. Edhe anketat më të reja në SHBA flasin mjaft. Rreth 63 për qind e amerikanëve janë të mendimit se Obama nuk ka një plan të qartë për luftën në Afganistan. Pjesa më e madhe e amerikanëve gjithashtu besojnë se Afganistani është duke u shndërruar në Vietnam. Protestat kundër luftës në Afganistan në SHBA janë ende të vogla, por ngjashëm ishte edhe në rastin e Vietnamit. Obama tani mund ta marrë vendimin për dërgimin e forcave shtesë në Afganistan, lufta mund të fitohet me mjete ushtarake dhe frika nga ankthi mund të dëshmohen si të pabaza. Por, në momentin kur po përballet me këtë dilemë, Obama po përballet me një konflikt në një front tjetër, shumë më afër shtëpisë, më të vështirë për ta luftuar dhe tejet të rrezikshëm për administratën e tij, me perceptimin gjithnjë e më të fuqishëm se historia po përsëritet. Lufta kundër fantazmës së Vietnamit është shndërruar në prioritet urgjent ushtarak. Nëse e humb betejën, Obama do ta humbë edhe luftën.