English

Rama në Orikum: Berisha kërkon të bëhet pronari më i madh i Shqipërisë

Orikum, 31 tetor 18:58:57 NOA - "Aty ku vidhet vota, lihet koka". Kështu ka deklaruar pasditen e sotme, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një takim me banorët e përfshirë në konfliktin për tokën e ndarë me referencë ligjin e shumëdiskutuar nr 7501.

Në bisedën me banorë të zonës, Rama shoqërohej nga deputetët socialistë Fatmir Toçi dhe Eltar Deda.

Rama u njoh me dyshimet e banorëve që akuzuan se nuk po jepet zgjidhje në lidhje me procedurat që rregullohen me ligjin 7501.

Ata denoncuan se policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre, pikërisht "kur kishin mundur të shuanin konfliktin, për të mos kthyer rrugët e Orikumit në një Gërdec të dytë".

Banorët kanë arritur edhe të kërcënojnë për rikthim të trazirave të vitit 1997 nëse nuk i jepet zgjidhje çështjes së pronave të tyre në bregdet.

Këtu ka reaguar kryetari socialist Rama i cili akuzoi qeverinë e Berishës se "qoftë me pronën e re dhe të vjetër, është bërë katrahurë dhe me kthimin e Sali Berishës në pushtet, kjo është shfrytëzuar edhe më tepër".

Rama kujtoi premtimin elektoral të Berishës i cili kishte thënë se çështja e pronave do të merrte zgjidhje në vend që në javën e parë të mandatit të tij të ri.

"Sot, - vijoi Rama, - janë prekur 56 familje, nesër do të jenë të tjerë dhe në tërësi 600 familjet që kanë këtë problem, do të preken".

Sipas Ramës, "Orikumi është vetëm një pjesë e zullumit që po bëhet në gjithë vendin me pronat".

Këtu ai hodhi akuza ndaj forcave të rendit: "Ajo polici që vjen këtu me shkopinj gome, është policia e shtetit tonë, është policia e shtetit tuaj, të kthyer në bandë që i shërben drejtpërsëdrejti familjes së Sali Berishës, i cili kërkon të bëhet pronari më i madh i Shqipërisë.

Rama premtoi se disa zyrtarë të PS do të angazhohen nga ana juridike për të ndihmuar banorët në problemin që ata kanë me shtetin sa i përket pronës dhe ftoi Berishën: "Eja këtu dhe fol me njerëzit, siç edhe u ke premtuar".

Këtu Rama lëshoi dhe deklaratën e fortë: "Aty ku vidhet vota, vidhet dhe toka, lihet koka. Aty ku vidhet vota vidhet dhe gjithçka tjetër që vjen pas saj. Një pushtet që vjedh votën, vjedh çdo gjë tjetër".

a.b/b.a/NOA

KOMENTE