Tiranë, 31 tetor NOA-Ministria e Transporteve ka reaguar menjëherë pas bashkisë së Tiranës duke pretenduar se trualli i cili shërbeu si "mollë sherri" mes dy pushteteve është shtetërore dhe se për të  bashkia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi.
"Nuk kemi ndërhyrë në pronë private, por në shtetërore.
Ne i kemi kthyer qytetarëve një hapësirë për lulishte dhe nuk e lamë zonën në një gropë plehrash, përsa kohë aty nuk ka një plan zhvillimi", u shpreh ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.
Në bazë të dokumentit të qeverisë, toka është futur në fondin e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e pronave në datë 19 dhjetor të vitit 2007.
Në bazë të dokumentit të hipotekës, kjo tokë rezulton pronë e regjistruar me pronarë të ligjshëm në datën 15 janar të vitit 2008.
Por një vit më vonë përmes një dokumenti që i përkon datës 14 tetor të këtij viti, tregohet se është shfuqizuar vendimi i Këshillit të Ministrave të datës 19.12.2007 përmes së cilit kjo pronë nuk kalon më në fondin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që ia kishte kthyer pronarëve, duke e kaluar tani në pronë shtetërore.
Dokumentet e bashkisë që nisin në vitin 1995 dhe përfundojnë në vitin 2008 tregojnë se kjo pronë është miratuar shpesh herë nga disa qeveri si shesh për ndërtim.
m.i/NOA