Bruksel, 31 tetor, NOA - Liderët e Bashkimit Evropian nuk kanë arritur dot në një marrëveshje për të zgjedhur presidentin e parë të organizmit të tyre dhe pohuan se ndoshta do të duhet një samit tjetër për ta zgjedhur atë.
Si kandidat i mundshëm për këtë post është përfolur emri i ish-kryeministrit britanik Toni Bler, por shpresat e tij u zbehën pasi nuk arriti ta sigurojë miratimin e socialistëve evropianë, të cilët janë aleatë të partisë së tij laburiste.
Ndërkaq, në takimin e tyre të fundit shtetet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një kompromis në konfliktin për marrëveshjen për klimën botërore.
Kryeministri suedez dhe kryetari i radhës së presidencës së BE-së Fredrik Reinfeldt tha se Bashkimi Europian tani ka një "pozicion të fortë" për samitin e klimës botërore në Kopenhagen të Danimarkës në dhjetor.
Kryesia suedeze parashtroi në samitin e BE-së në Bruksel një propozim, sipas të cilit ndarja e barrës financiare brenda BE-së të llogaritet sipas fuqisë ekonomike të vendeve të veçanta. Komisioni Evropian kishte përllogaritur për këtë shtatë miliardë euro në vit për tre vitet e ardhshme.
n.e/NOA
Â