English

Biberaj: Lidershipi i PD-së duhet të zgjidhet me parimin "një anëtar, një votë"

Tiranë, 1 nëntor NOA - Lidhur me përgatitjet e Kuvendit Kombëtar të PDSH-së, që do të mbahet më 12 dhjetor 2009, në një prononcim për mediat, Anëtari i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ka deklaruar se Lidershipi i PD-së duhet të zgjidhet me parimin "një anëtarë, një votë".

Ai theksoi domosdoshmërinë e demokratizimit të kësaj partie nëpërmjet një reformimi të thellë të saj, me qëllim shndërrimin në një parti të vërtetë demokratike dhe progresiste, moderne dhe të emancipuar, bartëse të vlerave më të mira civile, intelektuale, politike dhe patriotike, në një parti të tipit të Partive Popullore Evropiane, me orientim dhe frymë të qartë perëndimore, ashtu siç edhe u themelua me 12 dhjetor të vitit ‘90 nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90.

Procesi i reformimit të PD-së duhet të fillojë të realizohet nëpërmjet analizave të hapura e realiste dhe debateve demokratike që duhet të zhvillohen nga baza e partisë deri në lidershipin e saj, nëpërmjet decentralizimit dhe ndarjes së mandateve, si dhe zgjedhjeve demokratike, duke u bazuar në konkurrencën e lirë dhe të ndershme, në konkurrencën e vlerave dhe të kontributeve, e alternativave dhe të programeve, konkurrencë që mund të realizohet nëpërmjet zbatimit të parimit "një anëtar, një votë".

"Është tepër e domosdoshme që PD-ja, 19 vjet pas themelimit të saj nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90, si dhe duke pasur parasysh faktin se tashmë jemi vend anëtar i NATO-s dhe aspirojmë për anëtarësim në BE, të ketë një lidership të zgjedhur me parimin ‘një anëtar, një votë" deklaroi Biberaj.

Sipas Biberaj zgjedhja e lidershipit të PD-së me parimin "një anëtar, një votë", përveç implementimit të një konkurrencë reale në parti, do të gjallëronte së tepërmi edhe strukturat e PD-së, pasi demokratët e mbarë Shqipërisë do të ndjeheshin të respektuar dhe të motivuar nëpërmjet votimit direkt për lidershipin e tyre, shprehje kjo e demokracisë direkte në Â parti.

k.k/NOA

KOMENTE