Krujë, 1 nëntor NOA - Ndotja e ajrit, ndoshta nuk do të jetë më tani e në vazhdim, gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë kushdo, me gjithfarë mënyrash, sepse policia ka publikuar një dosje për t'u marrë shembull.
"Ne kemi filluar procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Xhavit P., 33 vjeç, banues në Krujë, sepse në orën 14.30, në Krujë, ka djegur furrën e gëlqeres me goma mjetesh, duke ndotur ajrin dhe ndaj e hetojmë për akuzën që vjen nga neni 201 i Kodit Penal", i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare policore. Duke folur në lidhje me ngjarjen, burimet policore detajuan se mesditën e djeshme, 33 vjeçari ka dashur të nxjerrë lëndën e ndërtimit, duke bërë ashtu si shumë të tjerë, djegie të gomave të vjetra të makinave në furrën e gëlqeres. Tymi me shtëllunga dhe era e rëndë që përhapi në një rreze disa kilometrash, detyroi banorët të kërkojnë ndihmë ndaj policia arriti në vendngjarje dhe vendosi të penalizojë 33 vjeçarin e papërgjegjshëm. Dukuria e ndotjes së ajrit është shumë e përhapur në vend, duke nisur që nga djegia rëndom e kazanëve të plehrave në mes të qyteteve dhe në orë nga më të ndryshmet e deri në ndotjen që shkaktojnë uzinat e privatizuara apo marrë me koncesion nga të huajt në ish Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. f.sh/NOA