English

Kosova, gati për Bill Klintonin, gjithcka mbi përgatitjet dhe si e presin banorët

Prishtinë, 1 nëntor - Kosova po bëhet gati të presë sot (e Diel), ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton. Shef i protokollit të kryeministrit, Edi Sejdiu, thotë se Klintoni fillimisht do të ketë takim me udhëheqësit e lartë të vendit. "Ish-presidenti Bill Klinton të dielën, në ora 12, parashihet që të mbërrijë në Aeroportin e Prishtinës. Së pari do të ketë takim me krerët e institucioneve të Kosovës, presidentin dhe kryeministrin."

"Takimi i dytë që do të mbahet në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, e më pas do të mbahet seanca solemne, gjatë së cilës ish-presidenti Klinton do t'u drejtohet deputetëve me një fjalim rasti", thotë Edi Sejdiu. Pas fjalimit të tij në Kuvend, ish-presidenti Klinton, së bashku me krerët e lartë të vendit, do të bëjnë përurimin e shtatores së tij. Autoritetet e rendit thonë se kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një ambient të qetë me rastin e kësaj vizite. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se nesër do të ketë shtim të masave të sigurisë. "Policia e Kosovës ka përgatitur planin e saj operativ lidhur me vizitën e ish-presidentit Bill Klinton." "Policia ka angazhuar të gjitha patrullat e nevojshme për të mbajtur rendin dhe qetësinë gjatë kohës kur ish-presidenti Klinton do të jetë në qendër të Prishtinës", thotë Kelani. Ndërkaq, zyrtarët e institucioneve kanë ftuar qytetarët që të mblidhen të dielën për ta pritur ish-presidentin Klinton. Qytetarët pohojnë se ish-presidenti Klinton meriton pritje madhështore. "Po, do të dalim ta presim Klintonin. Ai ka bërë shumë për Kosovën dhe meriton një pritje madhështore", thotë Marigona Stavileci nga Prishtina. Nezir Hajdari mendon se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të lumtur për këtë vizitë. "Duhet të dalim. Ai e ka ndihmuar shumë Kosovën. Zoti një dhe ai na kanë ndihmuar shumë. Patjetër që duhet të dalim për ta pritur", pohon Hajdari. Edhe Ardita Binaku ka mendim të ngjashëm dhe pohon se do të jetë i pranishëm me rastin e zbulimi të shtatores së Klintonit. "Si nuk do të shkoj ta pres Klintonin?!", shprehet ajo. Shtatorja trimetërshe e ish-presidentit Bill Klinton është vendosur në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.

Marrë nga RFE

KOMENTE