English

Makina e bllokuar si provë rezulton e vjedhur në Serbi, akuzë penale pronarit

Policia e Tiranës tha sot se është përballur me një seri vjedhjesh të tjera duke vënë në punë sektorët përkatës në disa komisariate

Tiranë, 1 Nëntor NOA - Një makinë e bllokuar në cilësinë e provës materiale, ka rezultuar se ishte e vjedhur në Serbi ndaj personi që e posedonte atë në Tiranë, tani përballet me akuzë penale.

Burime nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në policinë e Tiranës, i thanë sot agjencisë NOA se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Klodian M., 25 vjeç, banues në Shkodër, sepse mjeti Wolksvagen SH 64-54 E, që u bllokua me cilësinë e provës rezulton i vjedhur në Serbi.

Ndërkohë, në policinë e Tiranës kanë mbërritur një numër i madh denoncimesh për vjedhje, duke detyruar forcat e sektorit kundër vjedhjes së pasurisë së tjetrit, të kryejë hetime intensive.

Kështu, Komisariati i Policisë Nr. 4 bëri të ditur sot se dje gjatë natës, në rrugën "Ferit Xhajko", është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit Arben J., 37 vjeç, ku kanë marrë 2 mijë lekë dhe një aparat fotografik digital.

Për këtë ngjarje, policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Kurse Komisariati i Policisë Nr. 5 ka pasur një tjetër ngjarje me protagonist një taksixhi.

Bujar Marku, 23 vjeç, banues në Paskuqan, mbrëmjen e djeshme në orën 22.30, në Paskuqan, në bashkëpunim, ka tentuar të vjedhë mjetin Benz TR 432 D, Taxi, të 49 vjeçarit Muhamet M., banues në Tiranë.

Duket se Marku i cili u arrestua në kushtet e flagrancës, nuk e ka treguar emrin e shokut sepse policia deklaroi se po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëautorit.

Ndërkohë, dje filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 33 vjeçarin Astrit Doku, 33 vjeç, banues në Zallherr, sepse ka tentuar të vjedhë banesën e 31 vjeçarit Kastriot T., banor në të njëjtën lagje me të.

f.sh/NOA

KOMENTE