Tiranë, 1 nëntor NOA - I njohur si ndër hajdutët më të paparë të Tiranës, që e ka shtrirë rrezen e aktivitetit të tij kriminal edhe pse vetëm 13 vjeçar, dhe në disa rrethe bregdetare dhe më gjerë, Markeljani dje ka goditur sërish.
Në orën 18.30, në rrugën "Medar Shtylla", fëmija 13 vjeçar Markeljan Petrit C., banues në Tiranë, i ka marrë nga dora një kompjuter dore (lap-top), një 27 vjeçareje dhe është zhdukur. E reja e tmerruar nga skena, lajmëroi policinë në sallën operative dhe bëri një denoncim ku tregoi se si, ndërsa ishte duke punuar me kompjuterin e saj portativ, ulur në një tavolinë bari, u përball me skenën e shpejtë. Markeljani, është afruar furishëm, ka rrëmbyer lap-topin dhe ka vrapuar që të mos e ndiqte askush. Burime nga Komisariati i Policisë Nr. 3 i thanë sot agjencisë NOA se pas marrjes së denoncimit nga 27 vjeçarja Albana G., banuese në Tiranë, kanë nisur procedimin penal për të miturin Markeljan C dhe shtuan se po punohet për kapjen e tij. Markeljani, është i njohur për më shumë se 100 vjedhje të ndryshme në Tiranë dhe dhjetëra të tjera në periudhën e verës në Durrës dhe zona të tjera përreth. Për shkak të moshës së tij të mitur, ai sa herë që kapet, lëshohet dhe ndaj tij janë hapur disa dhjetëra dosje penale hetimi në gjendje të lirë për akuza vjedhjeje të pasurisë së tjetrit. f.sh/NOA