English

Mbërriti në Prishtinë ish-presidenti amerikan Bill Klinton

Prishtinë, 1 nëntor NOA - Sapo ka mbërritur në aeroportin civil të Prishtinës, ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, informon korrespondenti i agjencisë NOA në Prishtinë.

Kjo është vizita e tretë që presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Klinton, zhvillon në Republikën e Kosovës, vend që e konsideron si njeriun kyç që i hapi rrugën çlirimit të Kosovës nga pushtuesi serb për të vijuar me fitoren e pavarësisë.

SHBA ishte një ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe të dy presidentët që pasuan Klintonin, kanë ndjekur rrugën e tij duke e mbështetur mëvetësinë e Kosovës dhe e përkrahur atë.

Pas mbërritjes në aeroportin e Prishtinës, në sheshin "Bill Klinton" pritet që ish presidenti amerikan të pritet nga qytetarë të kryeqytetit kosovar.

Autoritetet më herët kishin bërë thirrje që sa më shumë njerëz të mblidhen në sheshin që mban emrin e presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet e rendit thonë se kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një ambient të qetë me rastin e kësaj vizite. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se ka një shtim të masave të sigurisë.Â

"Policia e Kosovës ka përgatitur planin e saj operativ lidhur me vizitën e ish-presidentit Bill Klinton."

"Policia ka angazhuar të gjitha patrullat e nevojshme për të mbajtur rendin dhe qetësinë gjatë kohës kur ish-presidenti Klinton do të jetë në qendër të Prishtinës", thotë Kelani.

Sipas Policisë, zona që përfshinë ndërlidhjen e rrugëve prej semaforëve te Santeja e deri te udhëkryqi me rrugën e Doganës do të jenë të bllokuara gjatë ditës së sotme.

Përpos tyre, edhe rruga prej tunelit në të tri lidhjet me rrugët dytësore e deri te rruga e Tiranës, për të vazhduar tek kryqëzimi me rrugën Kosta Novakoviq, do të jenë të bllokuara tërësisht, deri në përfundimin e të gjitha aktiviteteve në atë zonë. Në të njëjtën kohë, i ndaluar do jetë edhe parkimi i veturave në zonën ku mbahen aktivitetet deri në përfundimin e tyre. Në axhendën e tij, Bill Klinton së pari do të ketë takim me krerët e institucioneve të Kosovës, presidentin dhe kryeministrin.

Takimi i dytë që do të mbahet në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, e më pas do të mbahet seanca solemne, gjatë së cilës ish-presidenti Klinton do t'u drejtohet deputetëve me një fjalim rasti.

Pas fjalimit të tij në Kuvend, ish-presidenti Klinton, së bashku me krerët e lartë të vendit, do të bëjnë përurimin e shtatores së tij.Â

Vizita e sotme e ish presidentit amerikan në Kosovë, Bill Klinton, dje është cilësuar si vizitë historike nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili vlerësoi se me këtë rast institucionet kosovare po i bëjnë një mirënjohje të përhershme Bill Klintonit, njeriut i cili bëri shumë për lirinë e Kosovës u shpreh Thaçi.

Bill Clinton do të qëndrojë në Prishtinë me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE