English

EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (III)

Nga ana e EULEX-it shqiptarëve nuk iu është garantuar kthimi në pronat e tyre, në shtëpitë e tyre dhe në trojet e tyre as në Veri të Mitrovicës dhe as në rajonet e tjera, ndërkohë që zhvillon veprimtari të shumta për garantimin e pronës, shtëpive dhe jetës së serbëve në po këto rajone

Nga Hysamedin Feraj

(Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës)

Lexoni pjesën e parë: EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (I) dhe pjesën e dytë EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (II)

Etnicizimi i ligjit

Zbatimi i ligjeve mbi baza etnike ka qenë karakteristikë e sjelljes së pushtetit serb para vitit 1999: ligjet që vlenin për shqiptarët nuk vlenin për serbët. Në shumë praktika të EULEX-it konstatohet ky etnicizim i ligjit, përkundër qëllimit të shpallur se ka ardhur në Kosovë të nxisë praktikat evropiane të zbatimit të paanshëm të ligjit. EULEX-i është treguar shumë i vendosur për ndëshkimin ligjor të shqiptarëve lidhur me dëmtimin e pronës publike. Kështu p.sh. EULEX-i u tregua shumë i vendosur për ndëshkimin e shqiptarëve që dëmtuan makinat e EULEX-it në demonstrimet e fundit të VETËVENDOSJE!-s, ose herë të tjera në lidhje me UNMIK-ut etj., por askush nga strukturat paralele ilegale të Serbisë nuk është në burg për djegien e pikave doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës më 19 shkurt 2008, të cilat po ashtu janë pronë publike. Po ashtu, EULEX-i tregohet shumë i vendosur t'i ndëshkojë ligjërisht shqiptarët për përdorim dhune në demostratat publike, por askush nga pjesëtarët e strukturave paralele të paligjshme të Serbisë që ishin përgjegjëse për vrasjen e një polici ukrainas, dhe për lëndimin dhe plagosjen e shumë të tjerëve më 17 mars 2008 në veri të Mitrovicës, nuk është ndëshkuar ligjërisht. Nga ana e EULEX-it shqiptarëve nuk iu është garantuar kthimi në pronat e tyre, në shtëpitë e tyre dhe në trojet e tyre as në Veri të Mitrovicës dhe as në rajonet e tjera, ndërkohë që zhvillon veprimtari të shumta për garantimin e pronës, shtëpive dhe jetës së serbëve në po këto rajone. Me fjalë të tjera EULEX-i zbaton krejt mbi baza etnike ligjet për pronësinë, për sigurinë dhe rendin publik, për procedimet penale, për të drejtat dhe liritë demokratike etj.

Gjithë kjo sejllje dhe veprimtari e EULEX-it bie ndesh me qëllimin e shpallur të misionit të tij në Kosovë që është garantimi i zbatimit të ligjit dhe krijimit të shtetit ligjor. Përkundrazi kjo përforcon praktika, gjithsesi të njohura nga pushtetarët shqiptarë edhe pa ndihmën e EULEX-it, të zbatimit përzgjedhës të ligjeve, të shkeljes së ligjeve për motive politike etj. Më e keqja është se nga EULEX-i vijohet dhe përforcohet një praktikë e njohur dhe një mendësi e njohur në këtë territor: etnicizimi i ligjit dhe zbatimi i tij mbi baza etnike. Kjo ruan, kthen dhe përforcon ndjesinë e shqiptarëve se janë qytetarë të dorës së dytë në Kosovë, dhe të serbëve se janë qytetarë të dorës së parë, për të cilët ligji ndëshkues nuk ka fuqi, ndërsa ligji favorizues dhe mbrojtës vlen vetëm për ta. Ky etnicizim i ligjit ka qenë një nga proceset e arkitekturës së nxitjes së konflikitit në Kosovë e rajon, dhe prandaj shqetësimi se EULEX-i është duke rindërtuar këtë arkitekturë duket i legjitimuar për këdo që shqetësohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Paragjykimi i shqiptarëve

Siç u tha, gjithë shqetësimi dhe perceptimi ndërkombëtar, i dëshmuar në shumë dokumente të kohës dhe deri tek Plani i Ahtisarit dhe vendosja e EULEX-it në Kosovë, ishte paragjykimi se shqiptarët do të hakmerren ndaj serbëve, dhe se prandaj atyre u duhen dhënë garanci të forta se kjo nuk do të ndodh, dhe se për realizimin e këtyre garancive do të angazhohet në terren vetë bashkësia ndërkombëtare.

Ky është një paragjykim i krijuar dhe i forcuar veçanërisht dhe sistematikisht nga Serbia, dhe i cili u trashëgua edhe në këto dëshmi ndërkombëtare. Ky paragjykim është trashëguar nga gjithë propaganda serbe që i paraqet shqiptarët si të egër, primitivë dhe hakmarrës. Ky është një paragjykim sepse shqiptarët në Kosovë nuk e kanë pasë ndonjëherë pushtetin e pavarur e sovran mbi ta, që të shihet nga përvoja se nuk u njohin të drejtat pakicave, se hakmerren ndaj tyre etj. Sigurisht, nga përvoja nuk del as se i respektojnë. Për asnjërën prej këtyre sjelljeve nuk ka një përvojë të mëparshme sepse Kosova nuk ka qenë më parë shtet i pavarur e sovran, prandaj perceptimi i tyre si hakmarrës të pamëshirshëm është paragjykim, gjykim a priori, gjykim para çdo përvoje.

Përkundrazi, bashkësia ndërkombëtare, megjithëse ka përvoja shekullore dhe më të fundit se serbët i trajtojnë keq pakicat, se madje ushtrojnë mbi ta spastrim etnik dhe madje elemente gjenocidi, nuk janë perceptuar si të tillë dhe nuk u janë kërkuar garanci si shqiptarëve për mbrojtjen dhe trajtimin e pakicave. Sigurisht që një filozofi e tillë paragjykuese krijon frustruime te të gjitha palët në rajon dhe i nxit të gjitha palët kundër njëri-tjetrit. Krijimi dhe mbajtja gjallë e këtij përagjykimi ka qenë një nga elementët e rëndësishëm arkitektonikë të ndërtimit të konfliktit në ish-Jugosllavi, dhe prandaj është i legjitimuar shqetësimi se me ruajtjen dhe forcimin e tij nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë EULEX-in, ka të ngjarë të çojë në konflikt.

Lexoni pjesën e parë: EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (I) dhe pjesën e dytë EULEX-i i nxit konfliktet në rajon (II)

KOMENTE