Tiranë, 2 Nëntor NOA - Ceremonia e çeljes së vitit të ri akademik në Universitetin Europian të Turizmit (EUFT), i vetmi në Ballkan dhe Mesdhe, u shfrytëzua nga drejtuesit dhe autoritetet më të larta të shtetit për të evidentuar faktin se turizmi është sektori që duhet mbështetur më shumë pasi është më potenciali në vendin tonë.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, duke folur në këtë ceremoni, tha se turizmi është një prioritet shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare.
Kurse ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i vuri theksin lajmit se EUFT do të jetë një nga partnerët më kryesorë të ministrisë për çështjet që lidhen me zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Dr. Dhori Kule, e konsideroi si të rëndësishme mbështetjen e qeverisë shqiptare për arsimimin e të rinjve dhe të rejave dhe shprehu vlerësimin për faktin se EUFT po kontribuon në këtë drejtim, duke u fokusuar në turizëm, si sektori më i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, i mëshoi zhvillimit të projekteve turistike në qytetin e tij, duke vlerësuar se bashkëpunimi me EUFT është mundësuar.
***
Në fjalën e tij, z.Meta tha se të gjithë, duhet të ndihemi krenarë për faktin se Universiteti Europian për Turizmin është ndoshta i vetmi në Ballkan dhe Mesdhe, që ka si fokus ekskluziv të studimeve fushën e Turizmit. "Dhe jo rastësisht ky Universitet është fryt i nismës së Komisionit Europian, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend me një potencial të jashtëzakonshëm në fushën e Turizmit", - tha zv/Kryeministri.
Meta shprehu bindjen se "zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në vend nuk mund të kuptohet kurrsesi pa kontributin e rëndësishëm të turizmit" - dhe shtoi se - "për këtë arsye ky sektor prioritar do të jetë kryefjala e axhendës të Qeverisë shqiptare".
Zv/kryeministri evidentoi se "ne jemi të bekuar për vlerat e rralla turistike që ofron natyra shqiptare, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se nuk jemi aq mirënjohës ndaj natyrës për këto bukuri përrallore që na ka dhuruar" - ndaj theksoi se - "mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit janë vendimtare për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, konkurrues dhe afatgjatë".
Ndërkohë z.Meta pohoi dhe faktin se vendeve të rajonit, si Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnje-hercegovinës dhe së Shpejti Serbisë, u është bërë një favor duke pranuar heqjen e vizave dhe pagesave doganore sepse u është mundësuar dalja në det: "Në këtë mënyrë ne do t'i krijojmë mundësin e këtyre qytetarëve, vendet e të cilëve pothuajse nuk kanë det, të kenë Shqipërinë si destinacion turistik në të ardhmen".
Ndërkohë zv/kryeministri lajmëroi zgjerimin e rrezes së turistëve që vijnë në vendin tonë: "Zv/kryeministri i Kinës, u angazhua se qeveria kineze do të rekomandojë Shqipërinë për të gjithë qytetarët e saj si një destinacion turistik. Kjo do të thotë që me pak angazhim të paktën një milion turistë vijnë nga Kina çdo vit".
Por këtu, z.Meta shtroi një pyetje: "Edhe kaq turistë të vijnë nga Kina çdo vit a i kemi ne në gjendje kapacitetet për t'i pritur dhe akomoduar ne këta turistë?".
***
REKTORI I EUFT, PROF. DR SALVATORE MESSINA
Rektori i EUFT, prof. Dr Salvatore Messina, në fjalën e tij u shpreh se çelja e vitit të ri akademik është një lajm i mirë jo vetëm për këtë institucion arsimor por edhe për zhvillimin e vendit, sidomos në industrinë turistike e cila sipas të dhënave që ai citoi nga Komisioni Evropian, do të jetë sektori më i fokusuar për zhvillimin e Shqipërisë.
Dr. Messina citoi gjithashtu shifrat e Komisionit Evropian, kur tha se për 15 vitet e ardhshme, për çdo vit, Shqipërisë do t'i duhen jo më pak se tre mijë persona të ingranuar në shërbimet turistike. Këtu përmende agjencitë turistike, menaxhimi i bareve, restoranteve, komplekseve turistike, guidave etj.
Dr. Messina pohoi se EUFT, është i gatshëm dhe po kontribuon qartë në arsimimin profesional të njerëzve të cilët do të angazhohen në lëmin turistik.
Ai detajoi se në EUFT janë pesë fakultete: Një për ekonominë e turizmit, që ka të bëjë me ata të cilët duhet të kuptojnë se si ta menaxhojnë turizmin, pra një agjenci udhëtimesh, një hotel, një kompani të transporteve turistike, një strukturë të shërbimeve turistike ose një strukturë që ka të bëjë me politikat e turizmit. Është një kurs i menaxhimit të shërbimeve turistike, me dy opsione, hotel dhe restorante. Njëkohësisht është një degë tjetër, teknologji informacioni dhe komunikimi, pasi është e rëndësishme komunikimi dhe gjuha e biznesit për sektorin e turizmit.
Po ashtu në EUFT gjenden edhe tre master të nivelit të parë: "Masteri i nivelit të parë në turizëm, për profesionistët e këtij sektori dhe ato të cilët punojnë në këtë sektor dhe që do të jenë akoma më të profesionalizuar. Është gjithashtu një master për ata që do të merren me teknologji informacioni dhe një master tjetër në hoteleri dhe restorante". Por përveç kësaj, - tha Messina, - ne çdo pasdite i japim studentëve tanë falas kurse të gjuhës italiane dhe angleze".
"Mësimi zhvillohet përmes 22 docentëve europianë, 20 docentëve shqiptarë që janë impenjuar maksimalisht për të realizuar një program didaktik kompleks, me një vizion pa dyshim ndërkombëtar dhe që synon marrjen e kompetencave që mund përdoren në mënyrë efikase në tregun e punës në fushën e turizmit si në Shqipëri ashtu edhe në Europë", tha dr.Messina.
Rektori përmendi si të rëndësishme, përpjekjen për të ngritur cilësinë e operatorëve turistikë që punojnë në Shqipëri e bëjmë në bashkëpunim me nëntë universitete evropiane që kemi memorandume bashkëpunimi. "Pra janë universitetet më të mira të Evropës, janë këto mundësi që të rrinë të studiojnë në Shqipëri dhe të punojnë në Evropë", - theksoi dr. Messina, duke përmendu edhe se "jemi i vetmi universitet në Shqipëri ku diploma e studentëve tanë njihen nga nëntë universitete të huaja evropiane".
ZV/KRYEMINISTRI DHE MINISTRI I PUNËVE TË JASHTME, ILIR META
Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta deklaroi në fillim se në emër të qeverisë shqiptare përcillte përgëzimet më të sinqerta rektoratit, stafit akademik dhe në mënyrë të veçantë studentëve dhe prindërve të tyre.
"Ftesa e Universitetit Europian për Turizmin për të mbajtur një fjalë përshëndetje, më jep një kënaqësi të veçantë , njëkohësisht më jep mundësi për të shfrytëzuar këtë rast për të theksuar rolin e pazëvendësueshëm që edukimi universitar elitar ka në zhvillimin ekonomiko-social të vendit", - tha z.Meta.
"Të gjithë, duhet të ndihemi krenarë, - vijoi zv/kryeministri, - për faktin se Universiteti Europian për Turizmin është ndoshta i vetmi në Ballkan dhe Mesdhe, që ka si fokus ekskluziv të studimeve fushën e Turizmit. Dhe jo rastësisht ky Universitet është fryt i nismës së Komisionit Europian, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend me një potencial të jashtëzakonshëm në fushën e Turizmit".
Meta shprehu bindjen se "zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në vend nuk mund të kuptohet kurrsesi pa kontributin e rëndësishëm të turizmit" - dhe shtoi se - "për këtë arsye ky sektor prioritar do të jetë kryefjala e axhendës të Qeverisë shqiptare".
Zv/kryeministri evidentoi se "ne jemi të bekuar për vlerat e rralla turistike që ofron natyra shqiptare, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se nuk jemi aq mirënjohës ndaj natyrës për këto bukuri përrallore që na ka dhuruar" - ndaj theksoi se - "mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit janë vendimtare për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, konkurrues dhe afatgjatë".
Duke folur për industrinë e turizmit në Shqipëri, z.Meta pohoi se "disa mendojnë se është embrionale, disa të tjerë mendojnë se është kaotike, disa thonë se ajo nuk mund të konsiderohet avantazh krahasues, sepse të gjitha vendet fqinjë të Mesdheut janë shumë më të zhvilluara në këtë drejtim".
Këtu, z.Meta dha këtë vlerësim: "Të gjitha këto mund të jenë hipoteza të debatueshme, por ka një të vërtet të pamohueshme që realiteti i turizmit tonë sot është akoma larg potencialit të tij. Këtë e dëshmon qartazi edhe vizioni i kësaj nisme universitare, e cila me ambicie të admirueshme kërkon të kontribuojë me idetë e saj në përmbushjen e këtij potenciali në një realitet të prekshëm dhe përfitues për të gjithë vendin tonë dhe qytetarët tanë".
"Ne jemi të bindur, - vuri në dukje zv/kryeministri, - se Shqipëria sot padyshim ka bërë shumë progres në fushën e turizmit , por jemi ende shumë larg për të pritur flukse shumë të mëdha porsa i takon turizmit. Si në drejtim të kapaciteteve turistike, ashtu dhe në drejtim të përgatitjes së stafeve të shërbimit".
Z.Meta përmendi faktin se dje hyri në fuqi marrëveshja me Bosnjë-Hercegovinën për heqjen e vizave midis dy vendeve dhe lajmëroi se së shpejti do të heqim vizat dhe me Serbinë.
Por z.Meta theksoi faktin se "në këtë mënyrë ne do t'i krijojmë mundësin e këtyre qytetarëve, vendet e të cilëve pothuajse nuk kanë det, të kenë Shqipërinë si destinacion turistikë në të ardhmen".
Ndërkohë zv/kryeministri pohoi se mund të aplikojmë hapa të tjerë për të shtuar mundësitë dhe për të hequr pengesat e të gjithë atyre që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe të zgjedhin atë si një destinacion turistikë:
"Gjatë vizitës së fundit në vendin tonë zv. Kryeministri i Kinës, u angazhua se qeveria kineze do të rekomandojë Shqipërinë për të gjithë qytetarët e saj si një destinacion turistikë. Dhe sipas tij, kjo do të thotë që me pak angazhim të paktën një milion turistë vijnë nga Kina çdo vit".
Këtu z.Meta shtroi një pyetje: "Edhe kaq turistë të vijnë nga Kina çdo vit a i kemi ne në gjendje kapacitetet për t'i pritur dhe akomoduar ne këta turistë?".
Z.Meta deklaroi se duhet të punojmë shumë në këtë drejtim dhe shtoi: "Unë personalisht jam partizani i zhvillimit të pushimeve në Shqipëri, pasi kam pasur dhe shumë përvoja dhe në vendet e tjera. Këtë vit kam kaluar pushimet me familje për tre javë në Dhërmi. Por vërtetë është për të ardhur keq që në vende të tilla përrallore të shohësh papastërti të ndryshme, ku nuk kujdeset asnjëri", - evidentoi zv/kryeministri.
Ai pohoi faktin se nuk duhet ndonjë investim i jashtëzakonshëm, por në radhë të parë duhet një përgjegjësi shoqërore, përgjegjësi administrative nga pushteti lokal apo administrata shtetërore, si dhe kërkohet t'u imponohen masa administrative ndaj gjithë atyre që nuk kujdesen për mirëmbajtjen e ambientit pasi është një situatë krejtësisht e papranueshme që ne pas 19 vitesh mos të tregojmë atë kujdes minimal që çdo qytetar duhet të tregojë kujdes me shëndetin e tij, dhe së dyti për ambientin.
Z.Meta vlerësoi se "është një domosdoshmëri që ne t'i kushtojmë një vëmendje të jashtëzakonshme të ruajtjes së mjedisit, zhvillimit të tij, sepse kjo është e vetmja rrugë që këto bukuri që na i ka falur natyra të shndërrohen në instrument të fuqishëm për mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptar, dhe njëkohësisht për të pritur flukse shumë më të mëdha turistike në vendin tonë".
Kurse duke përfunduar fjalën e tij, z.Meta tha: "Ndaj besoj se është shumë i rëndësishëm misioni i këtij universiteti ashtu sikurse është shumë e rëndësishme që edhe në universitetet tona ku tashmë ekziston profili i turizmit, ne të përçojmë këtë përgjegjshmëri sepse pa asnjë diskutim turizmi është një nga degët kryesore për të ardhmen e vendit tonë, të zhvillimit të tij, dhe mbi të gjitha të mirëqenies së qytetarëve shqiptar".
MINISTRI I TURIZMIT, KULTURËS, RINISË DHE SPORTEVE, FERDINAND XHAFERRI
Ministri Xhaferri, shprehu fillimisht konsideratën për Universitetin Europian për Turizmin, si i vetmi i këtij lloji në Rajonin e Ballkanit dhe të Mesdheut, i krijuar nga Fondacioni i Universitetit Europian për Turizmin.
"Ky universitet, përbën në vetvete një ngjarje të shënuar jo sa i përket kualifikimit dhe përgatitjes së ekspertëve në fushën e turizmit, por edhe një vlerësim për resurset që disponon vendi ynë si edhe për politikat qeverisëse që e konsiderojnë turizmin një ndër prioritetet bazë të zhvillimit të vendit tonë", - deklaroi z.Xhaferri.
Ai vlerësoi më tej se vendimi i datës 4 qershor 2008, i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që licencoi Universitetin Europian për Turizmin, u hapi rrugë veprimtarive didaktike e shkencore dhe aplikon kërkimet në fushën e turizmit të qëndrueshëm si faktor parësor në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
"Projektet e posaçme dhe fondet e konsiderueshme që do të parashikohen të investohen në këtë drejtim, do të jenë një kontribut i drejtpërdrejtë dhe i vlefshëm që do të ndikojnë në krijimin e një imazhi sa më të plotë për vlerat që disponon Shqipëria si në aspektin e trashëgimisë kulturore ashtu edhe për resurset gjeografike", - u shpreh ministri Xhaferri.
Ai theksoi më pas se nismat e ndërmarra nga profesorët dhe studentët e këtij universiteti në parkun arkeologjik të Apolonisë dhe parkun natyror të Divjakës për përmirësimin e mëtejshëm të sinjalistikës, mbeturinave, muzeut etj., të cilat kanë për qëllim të ndryshojnë imazhin e këtyre parqeve, kanë para së gjithash një risi në mënyrën se si po zbatohen këto nisma.
"E theksoj këtë, - vijoi ministri, - pasi në sipërmarrje të tilla, studentët përfshihen jo thjesht si asistues për marrjen e përvojës së domosdoshme të formimit të tyre akademik, por edhe si kontribuues të drejtpërdrejtë në këtë proces transformimesh i cili na preokupon të gjithëve".
Në fjalën e tij, z.Xhaferri lajmëroi edhe se "EUFT do të jetë një nga partnerët më kryesorë të ministrisë për çështjet që lidhen me zhvillimin e turizmit në Shqipëri".
Kurse përgëzoi stafin e EUFT, "për frymën e partneritetit që po krijoni me institucionet shtetërore, e cila e shndërron programin tuaj mësimor në një mision që na përfaqëson të gjithëve".
e.r/NOA