Tiranë, 2 nëntor NOA - Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar sot Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një autorizim për procedimin penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Qani Hasa, për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për krimin "Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë".
Organi i prokurorisë, mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi, ka kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore në drejtim të fakteve të prezantuara, si dhe të identifikimit të personave të përfshirë në të.
"Hetimet e deritanishme të kryera prej njësisë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë hedhur dritë mbi një veprim korruptiv (marrje një shume parash) të këtij gjyqtari nga familjari i të një të pandehuri të arrestuar, në këmbim të një dënimi më të butë në raport me atë të kërkuar prej prokurorit të çështjes" thuhej në deklaratë për shtyp lëshuar ditën e sotme nga Prokuroria e Përgjithshme.
k.k/NOA Â