English

Rrudhja po vazhdon

Kosova ka problem territorial (dhe jo vetëm territorial) me të njëjtat shtete armiqësore që të njëjta ishin edhe përpara dy shekujve. Mali i Zi na e konteston kufirin, Maqedonia edhe identitetin, Serbia krejt qenien dhe lirinë, kulturën dhe historinë

Nga Aida Dërguti

Përgjatë këtyre dyqind viteve të fundit të gjithë popujt fqinj të shqiptarëve e kanë zgjeruar territorin e shteteve të tyre, me përjashtim të vetë shqiptarëve. Shqiptarët bile janë rrudhur sepse zgjerimi i territoreve të shteteve tjera është realizuar në kurriz të tokave shqiptare. Së pari tokat shqiptare u copëtuan, sepse ato pastaj gëlltiteshin më lehtë nga Serbia, Mali i Zi e Greqia.

Mund të themi që as sot nuk kemi arritur ta ndalim përfundimisht këtë proces negativ të rrudhjes territoriale të hapësirës jetike kombëtare shqiptare. Shumëkush besoi se ky kurs i pafavorshëm historik do të merr fund me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Me siguri që ai do të kishte gjasa të ndalej po të ishte pavarësia e Kosovës e njëmendtë. Po ja që ajo nuk është e tillë. Sepse është pavarësi e mbikëqyrur pa vetëvendosje, por me Plan të Ahtisaarit, pa sovranitet, por me misione të huaja mbi krye, pa integritet territorial sepse me struktura paralele të Serbisë përbrenda. Kur krejt kësaj tabloje të errët ia shtojmë edhe udhëheqësinë e tanishme politike servile dhe thellësisht të korruptuar, nuk mund të presim ditë të mira për sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës. Të gjithë po e dimë se kah po shkon procesi, por gjendja nuk do të ndryshojë vetvetiu, pa e ndryshuar atë populli.

Kosova ka problem territorial (dhe jo vetëm territorial) me të njëjtat shtete armiqësore që të njëjta ishin edhe përpara dy shekujve. Mali i Zi na e konteston kufirin, Maqedonia edhe identitetin, Serbia krejt qenien dhe lirinë, kulturën dhe historinë. Pavarësia e Kosovës zgjati vetëm disa sekonda - prej kur Hashim Thaçi e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, deri te paragrafi tjetër kur e ftoi EULEX-in të qeverisë me Kosovën dhe Pieter Feithin si monark të Planit Ahtisaari. Kurse kufijtë e Kosovës zgjatën dy ditë - prej 17 shkurtit, deri dy ditë më pas kur Serbia i dogji pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

Por këtyre ditëve të fundit po e shohim se jo vetëm Serbia është ende ajo e Nikolla Pashiqit, por edhe Mali i Zi ende mebetet po ai i Mbret Nikollës. Para një jave autoritetet shtetërore të Mali të Zi hynë 5 km në thellësi të territorit të Kosovës dhe aty vendosën tabelën e shtetit malazez këtu në komunën e Pejës. Kur u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës më 9 qershor 1999, NATO-ja pranoi hartat kufitare të ish Federatës Jugosllave (Serbisë). Këto harta të Serbisë, siç duket, nuk përputhen me kufijtë e Kosovës të përcaktuar në vitin 1974. Prandaj bashkësia ndërkombëtare e njohu lëvizjen e kufirit në Debëlldeh, prandaj nuk po ka reagime as nga KFOR-i e as nga EULEX-i kur Mali i Zi po shkell thellë në territorin e Kosovës.

Shqiptarët e Malit të Zi e ndihmuan shkëputjen e tij nga Serbia, por ky shtet nuk ua respekton atyre të drejtat kombëtare, gjuhën dhe simbolet, arsimin dhe punësimin. Shqiptarët e Malit të Zi sakrifikuan për pavarësinë e tij, por atyre nuk po ua japin komunën e Tuzit. Serbët e strukturave paralele të Serbisë e luftojnë pavarësinë e Kosovës dhe i dëbuan me dhunë shqiptarët nga veriu i Kosovës. Por atyre Ahtisaari, Thaçi dhe Sejdiu ua dhuruan komunën e spastruar etnikisht të veriut të Mitrovicës. Shqiptarët e Malit të Zi përbëjnë mbi 5% të popullit të këtij shteti. Por gjuha shqipe nuk njihet si gjuhë zyrtare. Edhe serbët e Kosovës janë mbi 5% të popullit të Kosovës, por gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë, bile edhe në Drenicë e Dukagjin.

Sot për sot, udhëheqësit shqiptarë priren drejt vendosjes së qëllimeve regjionale (paqja ballkanike, stabiliteti rajonal, integrimet euroatlantike etj.), arritja e të cilave e shndërron kombin shqiptar në mjet. Shqiptarët përfundimisht duhet ta krijojnë strategjinë e tyre politike në qendër të së cilës vendoset fuqishëm interesi politik dhe ekonomik kombëtar. Interesi kombëtar duhet të vendoset i pari, e pastaj paqja, stabiliteti, integrimet euroatalantike, etj. Këto që vijnë pas, duhet të maten ekskluzivisht me kutin dhe gjeostrategjinë e interesit kombëtar shqiptar. Atëherë dhe vetëm atëherë paqja do të jetë e qëndrueshme, kurse stabiliteti do të bëhet zhvillimor.

KOMENTE