Nuk ka dyshim se qëllimi i nxitjes që të jesh shembull i demokracisë nuk ka të bëjë aspak me demokracinë, por është pjesë e përpjekjes për të nënshtruar plotësisht shoqërinë tonë, nënshtrim të cilin do ta bësh madje me "dëshirë", "vullnet" dhe "përkushtim", e mbi të gjitha dhe përfundimisht, do të jesh "krenar" për të
Nga Basri Kodra
Vazhdimisht na thuhet se si ne duhet të jemi shembull i paqes, i qetësisë, i stabilitetit, i respektimit të ligjit, i respektimit të të drejtave të pakicave, i ndërtimit të një shoqërie multietnike, i tolerancës fetare, e kështu me radhë, e deri te të qenit shembull se si duhet të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike, që do të thotë, më në fund, se ne duhet të jemi model i demokracisë, lirisë dhe barazisë. Kur i kujton të gjitha këto, s'ke se si të mos ngresh pyetjet: po pse pikërisht ne, shqiptarët, duhet të jemi shembull për të gjitha këto? Pse ne mbi të gjitha, dhe pse ne para të gjithëve, pavarësisht tjerëve? Pse, pikërisht jemi zgjedhur ne, që t'i tregojmë Evropës dhe botës se çka është demokracia e si kultivohet ajo? A është ky test i demokracisë apo, mos vallë, ndonjë test i llojit tjetër?!...
Në kohën kur, edhe Misioni për Sundim të Ligjit i Bashkimit Evropian e shkel ligjin i pari - duke qëndruar mbi të; në kohën kur Organizata e Kombeve të Bashkuara mban akoma në fuqi Rezolutën përmes të cilës e mban të shkëputur një pjesë të kombit shqiptar; në kohën kur shtetet e Bashkimit Evropian sillen me dyfytyrësi ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në veçanti, pra më në fund, në kohën kur bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë është e para ajo që shkel ligje, kushtetuta, të drejta dhe liri e demokraci - nga njëra anë, neve na kërkohet të jemi, si të thuash, model i demokracisë - nga ana tjetër!
Nuk ka dyshim se qëllimi i nxitjes që të jesh shembull i demokracisë nuk ka të bëjë aspak me demokracinë, por është pjesë e përpjekjes për të nënshtruar plotësisht shoqërinë tonë, nënshtrim të cilin do ta bësh madje me "dëshirë", "vullnet" dhe "përkushtim", e mbi të gjitha dhe përfundimisht, do të jesh "krenar" për të. Nënshtrim, pas të cilit nuk do të ndjehesh i nënshtruar. "Krenaria" e ushqyer nga përkushtimi dhe përpjekja vullnetmadhe, bën që të mos e njohësh më nënshtrimin në të cilin do të biesh.
Thënë të drejtën, do të doja shumë që të jemi shembull i demokracisë, lirisë e i barazisë, jo aq nga fakti se aq shumë na kanë munguar dhe akoma na mungojnë përmbajtjet e këtyre shprehjeve, sa nga fakti se, aq shumë u mungon kjo përmbajtje pikërisht atyre që e propagandojnë atë. Do të doja që vërtet ne të ishim shembull i demokracisë e i lirisë, pikërisht për shkak se demokracia dhe liria më së shumti shkelet prej propaganduesve të vet. Por nuk mund t'i lejojmë vetes besimin e tillë e të biem kështu në iluzion, se kështu siç jemi të bëhemi "kampion" i demokracisë. Duhet të ekzistojnë kushtet paraprake që t'i hysh një përpjekjeje të tillë.
Prej të gjitha këtyre këshillave e rekomandimeve që pareshtur na i dërgon bashkësia ndërkombëtare, më interesanti më duket ai që ka të bëjë me "multietnicitetin". Kosova si "rast i veçantë" do të bëhet kështu, rast tepër i veçantë, i ndërtimit të një shoqërie mulitetnike. Nuk është e nevojshme të thuhet se, në pikëpamje të përbërjes etnike, Kosova mund të quhet "rast i veçantë" nga fakti se ka një homogjenitet etnik, sidomos në krahasim me vendet fqinje, sa i përket raportit të grupeve etnike, ngase mbi 90% janë shqiptarë. Nga ana tjetër, të gjitha pakicat etnike që jetojnë në Kosovë, jetojnë edhe në vendet fqinje, që do të thotë se Kosova s'paraqet përjashtim. 27 pakica etnike ndodhen në Serbi, por Serbia nuk është shtet shumetnik. Veçantia e rastit të Kosovës do të duhej ta shtynte bashkësinë ndërkombëtare që të lëvizte në kah të kundërt me konceptin e multietnicitetit.
Eksperimentimi me "shoqëritë multietnike" dhe "shtetet multietnike", siç po ndodh në Kosovë e Maqedoni, nuk bëhet për shkak të nevojës që këto shoqëri kanë të jetojnë me njëri tjetrin, por bëhet për shkak të nevojës që ka bashkësia ndërkombëtare për stabilitetin e këtyre shoqërive. Nuk mendoj se, bashkësia ndërkombëtare, nuk e din se, të përpiqesh të krijosh shoqëri shumetnike shqiptaro-sllave është punë e kotë, por duket se ajo, në këtë përpjekje, vepron sipas parimit "sa kohë që nuk ka dështuar, mund të quhet e suksesshme".
Pse, shqiptarët dhe serbët, përkatësisht, shqiptarët dhe maqedonët, nuk mund të jenë pjesë në një "shoqëri multietnike", siç po përpiqen ta bëjnë këtë faktorët ndërkombëtar? Arsyeja është shumë e thjeshtë. Nuk kanë nevojë ta bëjnë këtë. Ata nuk kanë nevojë të shtrëngohen të bëhen pjesë e një shoqërie testuese me të ardhme të pasigurt, ngase mund të bëhen pjesë e shoqërisë reale me të ardhme premtuese. Koncepti "multietnik" për Maqedoninë mund të kishte kuptim eventualisht në qoftë se Shqipëria dhe Kosova nuk do të ekzistonin. Ndërsa koncepti "multietnik" për shoqërinë kosovare, jo vetëm që nuk ka kuptim sot, kështu siç është, por nuk do të kishte kuptim as sikur të mos ishin Shqipëria dhe Maqedonia Perëndimore, si dhe për shkaqet që u theksuan më lart. Edhe e kaluara, edhe e tashmja, nuk janë në favor të testit të Maqedonisë që bashkësia ndërkombëtare po provon qe sa kohë. Me të kaluar, këtu duam të kuptojmë marrëdhëniet historikisht armiqësore shqiptaro-sllave, si dhe historinë e mbetjes së shqiptarëve në këtë shtet si pasojë e pushtimit serb e bullgar. Me të tashmen, këtu duam të kuptojmë, qëndrimin akoma armiqësor dhe diskriminues të maqedonëve ndaj shqiptarëve - nga njëra anë, dhe qenien e Shqipërisë dhe Kosovës përreth Maqedonisë - nga ana tjetër. Pra, vetë qenia e Shqipërisë dhe Kosovës, pa bërë kurrfarë përpjekjesh, e çfavorizon idenë e Maqedonisë multietnike. Pse të shtrëngohen të jetojnë shqiptarët në një shtet me maqedonët kur ka mundësi që shqiptarët të jetojnë në shtetin e tyre dhe maqedonët në të tyrin. Dhe kjo do të bëhej pa lëvizur asnjeri nga vendi. Vazhdimësia territoriale dhe kompaktësia etnike e mundëson një gjë të tillë.
Por, ja që në këtë punë, bashkësia ndërkombëtare, nuk na sugjeron të jemi "shembull". Dhe në këtë aspekt, ne mund të bëheshim vërtet një shembull i mirë, i tolerancës, bashkëjetesës (secili në shtëpi të vet), i paqes dhe i stabilitetit aq shumë të dëshiruar, dhe mbi të gjitha, do të bëheshim shembull i bashkimit.
Akoma më ironike tingëllon porosia e bashkësisë ndërkombëtare e cila përsëritet aq shpesh përmes gojës së funksionarëve tanë politikë, mbi "shembullin e lirisë dhe demokracisë", kur merret parasysh fakti se edhe Kushtetuta e Kosovës, që do të duhej të ishte vërtet akti juridik më i lartë i vendit, e shkel lirinë dhe demokracinë, përmes mohimit të së drejtës së popullit për vetëvendosje! E njohja e kësaj të drejte, të drejtës për vetëvendosje, do të hapte mundësinë ngase, përveç tjerash, do të ofronte edhe bazën morale, që ne të mund të përpiqeshim të jepnim edhe shembuj të tolerancës, barazisë, lirisë dhe mbi të gjitha, të demokracisë.