Tiranë, 2 nëntor, NOA - Eshtë shtyrë sërish seanca në kuadrin e gjykimit të tragjedisë së Gërdecit, e këtë radhe, shkak është bërë mungesa e gjyqtares së çështjes, Fatmira Hajdari pasi ndodhet jashtë Shqipërisë.
Në të tilla kushte, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës ka bërë me dijeni se seanca e radhës do të shtyhet për t'u zhvilluar ditën e mërkurë, më 4 nëntor, ku pritet të jenë tre anëtarë të trupit gjykues.
Kjo është e disata herë që seancat e çështjes "Gërdeci" shtyhen, për njërën arsye apo tjetrën, duke e shtyrë në pafundësi gjykimin e çështjes që ka ndodhur që para dy vitesh.
Kjo çështje njeh numrin më të madh të të pandehurve që kanë qenë të pranishëm ndonjëherë në një gjykim, plot 28 të tillë, pasi i pandehuri Fatmir Mediu doli nga rrjedhja e gjykimit prej Gjykatës së Lartë.
n.e/NOA