Prishtinë, 2 nëntor NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare për kosovarët që humbën jetën më 15 tetor në lumin Tisa.
Kosova ka nderuar sot personat që u mbytën ne lumin Tisa në kufi me Serbinë dhe Hungarinë në përpjekje për të kaluar kufirin.
Të gjitha institucionet dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë udhëzuar që t'i përmbahen këtij vendimit të Presidentit Fatmir Sejdiu për të nderuar viktimat.
Në të gjithë vendin, flamujt u valëviten sot në gjysmështizë, ndërsa stacionet televizive anuluan transmetimet argëtuese. Ndërkohë që partitë politike kanë pezulluar për një ditë të gjitha aktivitetet partiake në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 15 nëntorit.
k.k/NOA