English

Vazhdon sot gjykimi ndaj Karaxhiçit

Hagë, 2 nëntor, NOA - Në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë sot pritet që të rinisë seanca e gjykimit ndaj ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i cili do të përballet me akuza për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

Konkretisht, Karaxhiç përballet me 11 akuza përfshirë gjenocid dhe orkestrimin e masakrës së Srebrenicës në vitin 1995 ku u vranë tetë mijë burra dhe djem myslimanë, ndërsa ai e ka refuzuar të deklarojë fajësinë apo pafajësinë e tij.

Ai gjithashtu pretendon se ka bërë një marrëveshje për imunitet me diplomatin amerikan Riçard Holbruk, i cili ndihmoi në përfundimin e luftës në Ballkan, ndërsa Hollbruk mohon të ketë bërë ndonjë marrëveshje me të.

Dy seancat e parashikuara për t'u zhvilluar javën e kaluar kanë dështuar për shkak të mospranisë së Karaxhiçit në to, i cili ka ngritur pretendimin se ka nevojë për kohë që të përgatisë mbrojtjen ndaj akuzave.

Besohet se edhe sot gjykimi do të vazhdojë pa praninë e të akuzuarit.

n.e/NOA

KOMENTE