English

Dhuna ndaj Bazes, presidenti thyen heshtjen: Autorët sa më shpejt para drejtësisë

Tiranë, 3 nëntor NOA - Vetëm pak orë pas deklaratës së kryesocialistit Edi Rama i cili i bëri thirrje presidentit Bamir Topi të mos heshtë për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, kreu i shtetit ka reaguar duke kërkuar zbardhjen pa vonesë të kësaj ngjarjeje.

"Presidenti i Republikës, Bamir Topi dënon me ashpërsi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze duke kërkuar nga të gjitha organet e shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara drejtësisë autorët e vërtetë" thuhej në deklaratën që ka lëshuar vetëm para pak minutash Presidenca.

Sipas deklaratës, kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. "Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë" thuhej më tej në deklaratë.

k.k/NOA

KOMENTE