Gjirokastër, 3 nëntor, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë konfirmuar sesi në një banesë të këtij qyteti kishte të fshehur vërtet lëndë narkotike. Bëhet fjalë për banesën e marrë me qera nga 23-vjeçari Enver Rabushja, lindur në Cërrik dhe banues i këtij qyteti.
Sipas të dhënave policore për NOA-n, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 100 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Lënda narkotike ishte fshehur poshtë krevatit të tij dhe personit me të cilin jetonte, Denis Bajrami, ku këtij të fundit iu gjetën disa gramë të tjera drogë në xhep.
Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet proceduriale e hetimore, si edhe u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale, shoqëruar me arrestimin në flagrancë të dy personave të lartpërmendur për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve", parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA
Â