English

Kërkesat e BE-së, Meta në zyrën e Ina Ramës

Tiranë, 3 nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me kryeprokuroren Ina Rama që sipas tij ishte një takim zyre për të diskutuar për detyrimet e Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Takimi kokë më kokë është zhvilluar mesditën e sotme në zyrën e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama.

Pas takimit në ambientet e jashtë të Prokurorisë Meta ka dhënë dhe një deklaratë për gazetarët ku ka sqaruar se takimi kishte për qëllim një bashkërendim të veprimeve mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura për procesin e liberalizimit të vizave dhe gjithë detyrimet që dalin nga progres raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë. "Ka qenë thjesht një takim pune me Prokuroren e Përgjithshme në kuadër të koordinimit tonë me gjithë institucionet e pavarura për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe në përgjithësi për procesin e integrimit evropian. Ka qenë një takim shumë i frytshëm dhe bashkëpunues" deklaroi Meta. Ndërkohë që i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse gjatë takimit me kryeprokuroren është diskutuar për imunitetin e dy ministrave.

Ai është përgjigjur se sa herë Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit për cilindo deputet do të ketë votë e tij dhe të gjithë deputetëve në Kuvend ndërsa qeveria është gati të pranojë çdo kërkesë për këtë çështje.

k.k/NOA

KOMENTE