English

Kryeministri Berisha, takim me ministrat për Fondin e Zhvillimit Rajonal

Tiranë, 3 nëntor, NOA - Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ministra dhe zëvendësministra të kabinetit qeveritar për t'i dhënë formën përfundimtare reformës së zhvillimit rajonal, një nismë kjo e qeverisë shqiptare që synon nxitjen e zhvillimit të balancuar të qarqeve në vend.

Bëhet me dijeni se Fondi i Zhvillimit Rajonal do të jetë një strukturë që synon konsolidimin më tej të pushtetit të autoriteteve vendore dhe nxitjen e zhvillimin e fuqive të tyre investuese. Â

"E thirra këtë mbledhje për t'i dhënë formën përfundimtare Fondit të Zhvillimit Rajonal, me të cilin ne kemi si qëllim madhor nxitjen e zhvillimit të balancuar të qarqeve të vendit, përgatitjen e tyre për procesin e integrimit evropian, aftësimin e tyre, gradual, në mënyrë që ata, në një të ardhme jo të largët, të jenë të gatshëm të negociojnë direkt me strukturat ndërkombëtare", u shpreh kryeministri.

Ndërkaq, Fondi i Zhvillimit Rajonal do të përfshijë të gjitha investimet që zhvillohen në territorin e çdo rajoni të vendit, përveç investimeve në rrugët e mëdha të vendit, si dhe infrastrukturave të mëdha kombëtare, si ujësjellësit e mëdhenj etj.

Kryeministri Berisha u shpreh se të gjitha investimet e tjera, pa përjashtim, do të zhvillohen në territorin e çdo rajoni, si investimet në rrugët rurale, dytësore, investimet që jepen për bujqësinë e atij qarku, për ujësjellësit, shkollat, qendrat shëndetësore, etj.

Ndërkaq, ai siguroi se ky institucion do të jetë një rikonceptim, në të cilin qeveria qendrore përcakton disa kufizime të qarta për veten e vet dhe që konsolidon më tej pushtetin e autoriteteve vendore dhe nxit zhvillimin e fuqive të tyre investuese.

Ndër të tjera, Berisha shprehu besimin se, përmes këtij Fondi, do të realizohet një planifikim shumë më i mirë, më i balancuar dhe më i ekuilibruar i investimeve dhe bëhet një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave.

n.e/NOA

KOMENTE