English

Ministri i Drejtësisë, Nishani takohet me reporterët e KE-së

Tiranë, 3 nëntor NOA - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani priti sot në një takim pune Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë të cilët po kryejnë një vizitë fakt mbledhëse mbi realizimet e angazhimeve dhe detyrimeve të vendit tonë.

Në fjalën e tij, Nishani i njohu reporterët mbi hapat e ndërmarrë në kuadër të reformës në drejtësi me miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në vend, si dhe hapat e reja që po hedh ministria e Drejtësisë për të plotësuar rekomandimet e dala nga Progres-Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

"Aktualisht ministria e Drejtësisë ka hartuar një draft mbi strategjinë e reformës në drejtësi, i cili ka nevojë për përmirësim, si dhe të diskutohet me grupet e tjera të interesit" tha Nishani.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, ministri Nishani i njoftoi Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për hartimin dhe miratimin e afërt në parlament të ligjit antimafia, i cili është rindërtuar për shkak të disa problemeve që janë hasur në sekuestrimin e pronave të vëna në rrugë të jashtëligjshme pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë.

Ky ligj, sipas ministrit, i bërë edhe me asistencën e misioneve ndërkombëtare, synon të ndajë hetimin penal nga hetimi mbi pasurinë.

Në kuadër të nismave anti-korrupsion të qeverisë shqiptare, ministri Nishani i informoi Reporterët e AP të Këshillit të Evropës mbi objektivat e tij për thjeshtimin e procedurave administrative dhe digitalizimin e shërbimeve që ofrohen nga institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

k.k/NOA

KOMENTE