Tiranë, 3 nëntor NOA - Në Regjimentin Komando në Zallherr u zhvillua ceremonia e përurimit të "Poligonit të Luftës në Qendrat e Banuara", investim i Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes.
Ishin të ftuar në këtë aktivitet ministri i Mbrojtjes z.Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Maksim Malaj, zv.ministri i Mbrojtjes z.Ekrem Spahiu, gjeneralë e ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura.
Merrte pjesë në këtë ceremoni edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. John Withers.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, ka përshëndetur të pranishmit Ambasadori Withers.
Në fjalën e tij, ai vuri në dukje se ngritja e një poligoni të tillë i shërben kualifikimit profesional dhe përgatitjes fizike të ushtarakëve, në kushtet kur bota sot është në luftë të hapur me terrorizmin, i cili përbën një problem të madh global.
Më pas e mori fjalën ministri i Mbrojtjes z.Arben Imami, i cili falenderoi së pari Qeverinë Amerikane dhe Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë Shqipërisë e në veçanti Forcave të saj të Armatosura.
Duke vijuar, Ministri Imami shprehu kënaqësinë se në vizitën e tij të parë në Regjimentin Komando, merr pjesë në përurimin e një investimi të tillë, i cili më shumë se sa vlera e shpenzuar ka rëndësi për qëllimin për të cilin është ndërtuar.
Ky poligon do t'i shërbejë rritjes së kapaciteteve të ushtrisë shqiptare, si partnerë të denjë në luftën globale kundër terrorizmit.
Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes u shprehu efektivave të këtij regjimenti, gatishmërinë e plotë të insitucionit që drejton, në veçanti edhe të Qeverisë Shqiptare, për të qenë krah Forcave të Armatosura duke mbështetur fuqimisht çdo operacion të tyre.
Ceremonia ka vazhduar më tej me një demonstrim stërvitor në ambientet e poligonit të ri të sapo ndërtuar, shiritin e përurimit të të cilit e preu Ministri Imami dhe Ambasadori Withers.
Për ngritjen e këtij poligoni u investuan 1.5 milionë dollarë, donacion i bërë nga GPOI (Iniciativa Globale për Operacionet Paqeruajtëse).
Projekti filloi në shtator 2008 dhe përfundoi në maj 2009 dhe është i përbërë nga 41 godina të veçuara, 2 dhe 3 katëshe të ideuar për të stimuluar një "Teatër Urban" në operacionet e luftimit.
Ceremonia u mbyll me foton e përbashkët dhe shënime që Ministri Imami dhe Ambsadori Withers, lanë në Librin e Përshtypjeve, të Regjimentit Komando.
f.sh/NOA