Tiranë, 3 nëntor NOA - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar sot personalisht kryeministrin Sali Berisha për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze.
"Unë akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejtë Sali Berishën, për krimin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Mero Baze.
Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t'u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit" tha sot Rama.
Sipas Ramës, qytetarët shqiptarë kanë mbetur sot pa shtet e gjykata dhe se Shqipëria sot qeveriset nga interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t'u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve.
"Mbrëmë, njëri prej klientëve të familjes së Sali Berishës gjakosi me grushte e shqelmat e gorillave të ushqyer nga familja gazetarin që hedh përnatë dritë mbi veprimtarinë e paligjshme të kësaj qeverie interesash familjare.
Sali Berisha nuk mund ta dënojë me një deklaratë bajate nëpërmjet zëdhënëses këtë krim të shëmtuar, që nuk është vepër banale e një të dehuri të larguar në drejtim të paditur, por akt kriminal i një të mirënjohuri botërisht si klient kryesor i pushtetit të familjes Berisha, për të cilin pak ditë më parë policia e shtetit u fut në konflikt me organet tatimore tek dera e ARMO-s, dhe të cilit Sali Berisha i bën favore të paligjshme në këmbim të përfitimeve të paligjshme" tha më tej kryesocialisti Rama.
Pasi ka akuzuar drej për drejt Berishën, Rama ka përmendur gjatë deklaratës së tij edhe Ministrin e Brendshëm Lulëzim Basha, që sipas tij ka vendosur Policinë e Shtetit kundër ligjit dhe në shërbim të interesave të paligjshme pronësore e financiare të Sali Berishës, pasi duhet të ndalonte vetë autorin që udhëhoqi sulmin gjakatar ndaj gazetarit, jo thjesht dy nga gorillat që e bënë për spital njeriun e shtypit.
Me tej Rama nuk ka lanë pa përmenduar edhe presidentin Bamir Topi që sipas tij duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit, për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni.
"Presidenti i Republikës nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushtetit i një familjeje po i bën kushtetutës, ligjit, shtetit, me gjakosjen e një gazetari që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediat në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi.
Dua të them në fund, fare sinqerisht, se për mua s'ka asgjë të papritur në këto zhvillime dëshpëruese për vendin dhe shoqërinë tonë.
Vota e vjedhur e 28 qershorit e ka futur këtë pushtet në rrugën pa kthim të një zullumi që do të trashet përditë rreth qafës së Shqipërisë.
Një pushtet që nuk buron nga vullneti i lirë i popullit është i dënuar të sillet keq e më keq.
Ky është një mësim që na e ka dhënë historia e gjatë e demokracisë por edhe historia e jonë e shkurtër në demokraci, por është një mësim që më shumë se të tjerët duhet të mos e harronte personalisht Sali Berisha" përfundoi Rama.
k.k/NOA