English

Unioni i Gazetarëve: Dhuna ndaj gazetarit Baze, akt i përsëritshëm kriminal

Tiranë, 3 nëntor, NOA - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmes një deklarate për shtyp ka denoncuar sot aktin e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze në një nga lokalet e Tiranës dje në mbrëmje.

"Fyerjet dhe dhuna fizike e ushtruar mbi gazetarin e njohur, në prezencë të qytetarëve të pranishëm në lokal si dhe të kolegëve Andi Bushati dhe Arban Hasani, pasojnë akte dhune dhe kërcënimi në rrethana dhe prej personash të tjerë, mbi gazetarin politik dhe investigativ", thuhet në këtë deklaratë.

Ndër të tjera, shtohet edhe fakti se Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon autoriteteve të vendit reagim të menjëhershëm institucionalnë lidhje me një akt të tillë.

"Ne i kërkojmë policisë së shtetit që pas denoncimit zyrtar dhe dëshmive të dhëna nga kolegu i dhunuar dhe dy kolegët e tjerë, të kryhen pa shmangie veprimet proceduriale.

Në të njëjtën kohë u kërkojmë autoriteteve të drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues", citon deklarata.

Sipas këtij organizmi, ky akt dëshmon se gazetari shqiptar është i kërcënuar në cdo moment nga brutaliteti dhe dhuna fizike kriminale.

"Fakti që raste të tilla përsëriten dhe sidomos ndaj këtij kolegu, flet qartë për rritje të agresivitetit të personave me pasje dhe me pushtet ekonomik e financiar. Unioni i Gazetarëve deklaron se Mero Baze është dhunuar për shkak të detyrës dhe për këtë arsye rasti në fjalë është akt dhunues dhe kërcënues për shkak të detyrës", përfundon deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE