Durrës, 3 nëntor, NOA - Në orët e para të mëngjesit të sotëm, është konstatuar një vjedhje e zyrave të Institutit Biblik Shqiptar, të cilat gjenden në qytetin e Durrësit. Burimet policore konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA që nga veprimet e para hetimore rezultoi se autorët kanë hyrë në mjediset e brendshme të këtyre zyrave përmes dritares duke shqyer zgarën e hekurt të saj dhe më pas janë futur në zyrën e drejtorit ku ndodhej edhe kasaforta me paratë.
Mësohet se pas shqyerjes së saj është marrë një sasi prej 200 000 lekësh dhe 110 eurosh.
I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, amerikani 48-vjeçar Tames Brodlei, me detyrë drejtor i këtij instituti, tha se vjedhjen e lekëve e ka konstatuar sot rreth orës 06.00 kur ka hapur zyrën.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet do t'i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të "Vjedhjes" parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
n.e/NOA