Tiranë, 4 nëntor NOA - Ambasada Italiane në Tiranë ka komentuar sot përmes një deklarate të posaçme për media, dhunimin dy ditë më parë të gazetarit Mero Baze në lokalin "Capricio" në fillim të ish-Bllokut në Tiranë.
"Ambasada e Republikës së Italisë në Shqipëri, dënon me forcë çdo veprim që bie ndesh me ligjin e që cënon lirinë e shprehjes e të mendimit, e që në mënyrë të veçantë cënon lirinë e shtypit: parim botërisht i njohur si një prej garancive themelore të një Shteti demokratik", - thuhet në deklaratën e posaçme që lëshoi selia diplomatike e Romës në Tiranë.
"Duke u mbështetur në këto parime, Ambasada Italiane uron që të hidhet dritë sa më shpejtë rreth ngjarjes në të cilën u dhunua gazetari Mero Baze", - përfundon deklarata për media.
Dy ditë më parë, sipas policisë dhe deklarimeve të Mero Bazes, ky i fundit, gjendej në bar "Capricio" në krye të ish-Bllokut, nën shoqërinë e drejtorit të informacionit të Vizion Plus Tv, Arban Hasani dhe drejtuesit të emisionit "Zonë e Ndaluar" në të njëjtin kanal televiziv, Andi Bushati.
Dyshohet se biznesmeni Rezart Taçi së bashku me dy të rinj, aludohet të jenë truproje të tij, e kanë qëlluar Bazen.
Ky i fundit mori mjekim dhe shkoi në banesë kurse më herët bëri një kallëzim penal ndaj policia arrestoi dy djemtë e dyshuar dhe shpalli në kërkim Taçin.
Prej disa muajsh, e përditshmja "Tema" e Mero Bazes dhe emisioni i tij "Faktori Plus" në Vizion Plus, publikojnë mori akuzash për afera të dyshuara mbi bizneset e Taçit.
e.l /NOA