Tiranë, 4 nëntor NOA - Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha deklaroi sot se do t'i jepet fund abuzimeve me dokumentacionet, të cilat krijojnë pronarë të paligjshëm, në toka publike.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Punëve Publike verifikimin e  të gjithë dokumentacionit për qendrën e Tiranës, për të shmangur në këtë mënyrë përvetësimet e padrejta të tokës publike.
Sipas tij, për të gjitha shpronësimet e bëra nga mbreti Zogu i I-rë, për këtë zonë të qytetit, ka pasur kompensimet përkatëse, duke theksuar se falsifikatorët dhe mbështetësit e tyre do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji.
"Qendra e Tiranës në çdo centimetër të saj ishte vetëm tokë publike me dokumentet më të qarta. Zotërinj ministra dua tu rikujtoj se ndërtesa e Ministrisë së Kulturës sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve është ndërtuar në vitin 1932 nga lartmadhëria e tij Mbreti Zogu i I-rë, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me kodin civil.
Zoti Ministër i Punëve Publike duhet tua japësh fotot e albumit të gjitha mediave. Më sipër është një barrakë e ndërtuar nga fundi i viteve 1800, një kazermë ushtarake turke. Me të gjitha dokumentet, ajo është një dhomë tregtie, më vonë spital austrohungarez e pastaj gjimnaz. Dhe tani na del se qenka pronë e asaj apo kësaj familje. Falsifikatorët do të marrin përgjigjen që meritojnë, po kështu dhe ata që mbrojnë falsifikimin. Ajo ndërtesë është mbi 100 vjeçare. Më sipër janë varrezat e Karapicëve dhe xhamia e Karapicëve. Ka dokumente për këtë" tha sot Berisha.
Kryeministri u shpreh se qeveria nuk do të mbledhë për buxhetin e vet as edhe një qindarkë të vetme, por të gjitha do ti vendosë në mënyrën më transparente dhe më të ndershme në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve.
"Ne do ti shesim ato me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet, por i gjithë ky fond prej 112 milion euro gradualisht me kalimin e tij do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve" tha kryeministri.
 "Ka një problem, ka një ligj të vitit 1994, ku qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave, për qëllime të caktuara.
Ai vendim është shumë i dobishëm sepse ka pasur si qëllim që të mbrojë dhe të mos lejojë shitjen e pronave pa u kompensuar pronari, po aty ne mund të ndërhyjmë dhe të fusim kompensimin e pronarëve dhe krijimin e fondeve për ta, sepse aty është e përcaktuar se kur këshilli i ministrave mund të marrë vendim për të shitur tokën publike. Ndaj dhe do të bashkërendoni të gjithë veprimtarinë.
Do të përdoren në mënyrën më transparente, më të ndershme dhe çdo gjë në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve" tha më tej kreu i qeverisë.
k.k/NOA
Â