Tiranë, 4 nëntor NOA - Një e moshuar ka harruar gjellën në petrogaz dhe për pasojë ka marrë flakë ena dhe më pas e gjithë banesa.
Zjarri shkrumboi banesën e të moshuarës ndërsa rrezikoi banesat përreth.
Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në fshatin Llovinë të Komunës Dropulli i Sipërm në Gjirokastër kur banesa e 71-vjeçarit Jorgo Ziko u përfshi nga flakët e zjarrit.
Policia e sinjalizuar për ngjarjen me anë të një telefonate u vu menjëherë në lëvizje bashkë me repartin e zjarrfikëses.
Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, të forcave të policisë dhe të banorëve të fshatit u bë e mundur që flakët të viheshin nën kontroll duke mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në banesat ngjitur me banesën e shkrumbuar nga zjarri.
Pas një ore zjarri është fikur plotësisht dhe përveç banesës së të moshuarit Jorgo Ziko , nuk pati asnjë banesë tjetër të dëmtuar nga zjarri.
Nga zjarri pati vetëm dëme materiale pasi familjarët ishin jashtë në momentin që ka rënë zjarri.
Grupi hetimor nga veprimet e kryera në vendngjarje si dhe nga deklarimet e marra nga bashkëshortja e Jorgo Ziko, ka konstatuar se shkaku i rënies së zjarrit ishte nga pakujdesia saj, pasi ajo kishte lënë petrogazin që gatuante hapur dhe për pasojë kishte marrë flakë soba dhe më tej e gjithë shtëpia.
Sipas policisë, të zotët e shtëpisë nuk kanë shprehur asnjë pretendim në lidhje me shkakun e zjarrit.
k.k/NOA
Â