English

Interpol Athina dorëzon 4 vjet pas kapjes, Rebani Gjonaj, dënuar për vrasje

Tiranë, 4 nëntor NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka kryer pasditen e sotme, ekstradimin nga kryeqyteti i Greqisë, Athinë, një shtetas shqiptar të dënuar për burg nën akuzën e vrasjes.

Burime zyrtare policore i thanë Agjencisë NOA se u ekstradua 32-vjeçari Rebani Luan Gjonaj, lindur në Fier.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Fier,

me vendimin nr. 247, datë 09.10.2002, e ka dënuar me 23 vjet heqje lirie, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve të armëve luftarake".

Sipas vendimit të gjykatës, Rebani Gjonaj në datën 07.12.1999, atëherë 22 vjeçar, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në afërsi të disa lokaleve në fshatin Levan, ka vrarë me pistoletë shtetasin Marenglen Zeneli.

Nga hetimi doli se Gjonaj kishte pasur një konflikt kohët e fundit para ngjarjes, për motive të dobëta me viktimën e tij, Marenglen Zeneli.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Athinën në Greqi në datën 29.08.2005, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi i këtij shtetasi, por ky proces zgjati më shumë se katër vjet.

f.sh/NOA

KOMENTE