Tiranë, 4 nëntor NOA - Policia e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat kanë mundur të identifikojnë autorët e një vrasje të dyfishtë të ndodhur 13 vjet më parë.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se për rreth dy vjet, hetuesit kanë kryer një punë intensive për të identifikuar autorët e vjedhjes me armë me pasojë vrasjen e shtetasve Asllan Meçi dhe Rasim Elezi, ngjarje e ndodhur në datën 19 nëntor të vitit 1996 në vendin e quajtur Shënlleshën të rrethit Dibër.
Policia deklaroi sot se ka identifikuar autorët por për arsye hetimi nuk mund të bëjë të ditur emrat e tyre pasa ata janë shpallur në kërkim.
"Autorët e këtij krimi, emrat e të cilëve nuk bëhen publike për arsye hetimi, të armatosur dhe të maskuar, u kanë dalë përpara autobusit të pasagjerëve të Komunës së Reçit, kanë vrarë drejtuesin e autobusit shtetasin Rasim Elezi dhe arkëtarin e Komunës shtetasin Asllan Meçi dhe më pas kanë marrë lekët e Komunës, një shumë rreth 12 milionë lekë të vjetra, e janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për autorët e kësaj vepre penale, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me vendim nr.73, datë 27.10.2009, është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" deklaroi sot Policia e Shtetit. Sipas policisë, hetimet e kryera kanë treguar se autorët e këtij krimi kanë rezultuar të jenë autorë të dyshuar edhe të disa veprave të tjera të rënda penale, të ndodhura në kohë të ndryshme në Qarqet Dibër dhe Tiranë.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna intensive për dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.
k.k/NOA