English

Referendumi, VMRO-DPMNE synon sukses me 200 mijë vota fiktive

Shkup, 4 nëntor, NOA - "Problem kryesor mbetet lista e votuesve, e cila akoma nuk është pastruar nga votuesit fiktiv, që ishte një dukuri problematike e shpalosur në zgjedhjet e fundit", ka theksuar kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski.

Përshpejtimi i procesit të mbajtjes së referendumit është një skenar i qarqeve qeveritare, para pastrimit të listës zgjedhore nga votuesit fiktiv, që ishte një problem dominant dhe shqetësues në zgjedhjet e fundit lokale dhe presidenciale.

Bashkësia ndërkombëtare apeloi në zgjedhjet e fundit që urgjentisht të bëhet pastrimi i listës së votuesve në mbarë vendin, për shkak të pranisë së mëtejshme të votuesve fiktiv apo fantom, që gjithnjë janë keqpërdorur nga partitë politike në pushtet. Skenaret e VMRO-DPMNE janë që të shkohet në referendum para se të pastrohet lista zgjedhore, një proces që po kryhet nga Ministria e Drejtësisë me ngadalësi dhe që deri tani ka përfshirë vetëm dy komuna. Në Maqedoni rezultojnë rreth 200 mijë votues fiktiv, të cilët kanë ngelur nëpër listat votuese dhe nuk janë pastruar nga organet përgjegjëse. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka bërë të ditur se është gati për referendumin eventual, mirëpo ai ka sugjeruar që paraprakisht të pastrohet lista e zgjedhësve, për shkak të votuesve fiktiv dhe fantom. Ky sugjerim për praninë e numrit fiktiv të votuesve, që nuk konsistojnë me numrin e përgjithshëm të popullësisë dhe për pastrimin e listave zgjedhore ishte bërë edhe nga OSBE/ODIHR dhe organizatat e tjera vëzhguese të zgjedhjeve. Menjëherë pas zgjedhjeve, Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për pastrimin e listave zgjedhore dhe se deri tani ky proces është realizuar vetëm në dy komuna. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski ka theksuar deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje apo nismë zyrtare për referendumin, por përveç që janë njoftuar nga mediat. "Në adresë tonë nuk ka ardhur diçka për tu përgaditur për referendum eventual. Dua të ju them se teknikisht jemi të përgaditur. Por problem, kryesor mbetet lista e votuesve, e cila akoma nuk është pastruar nga votuesit fiktiv, që ishte një dukuri problematike e shpalosur në zgjedhjet e fundit. Kjo është problem dhe duhet të përfundojë, pasi që edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë theksuan se nuk është i saktë numri i votuesve në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullësisë", ka theksuar Novakovski, duke shtuar se me prioritet është zgjidhja e kësaj problematike. Kryeministri Nikolla Gruevski në deklarimin e tij për referendumin kishte theksuar se kjo nismë e rëndësishme është edhe pjesë e programit politik zgjedhor të partisë së tij VMRO-DPMNE dhe se për këtë ai i ka premtuar edhe elektoratit maqedonas. Në rast se do të votojnë mbi 50 për qind të votuesve në referendum për mosndryshimin e emrit, atëherë ai do të jetë i suksesshëm për të bllokuar procesin e integrimit të vendit në strukturat evroatlantike.

NOA-INA

KOMENTE