English

Reporterët e KE-së inspektojnë ministrinë e Brendshme

Tiranë, 4 nëntor NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha priti sot në një takim reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, David Ëilshire dhe Jaako Laakso.

Ministri Basha informoi reporterët e Këshillit të Evropës në veçanti për progresin e arritur në përmbushjen e kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE.

Sistemi i aplikimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, është i sigurt, nga më modernët në Evropë dhe njëkohësisht ofron shpejtësinë optimale të shërbimit ndaj qytetarëve.

"Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 Maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri më tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar.

Ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon,- u shpreh ministri Basha.

Përsa i takon një kushti tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, që është siguria e kufijve, ministri Basha informoi reporterët se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, në këto pika është mundësuar lidhja e drejtpërdrejtë me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, e po kështu lidhja me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX.

Ndërkohë po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin "one stop shop" që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj.

Në të njëjtën mënyrë në bazë të vendimit të qeverisë po punohet për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar.

Gjatë takimit me raporterët Ëilshire dhe Laakso, Ministri Basha informoi edhe për luftën e vazhdueshme me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Në këtë aspekt Basha informoi se mesatarja e kriminalitetit në Shqipëri është vlerësuar si më e ulët se në vendet e BE. Po kështu në raportin e fundit, Departamenti i Shtetit i SHBA e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim përsa i takon trafikimit të qenieve njerëzore. Lufta ndaj trafikut të drogës po ashtu ka njohur rezultate të larta.

k.k/NOA

KOMENTE