English

Ruçi: Vrasja e deputetit të PS-së Fatmir Xhindit është politike

Tiranë, 4 nëntor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka reaguar për moszbardhjen e vrasjes së ish-kolegut të tij Fatmir Xhindi.

"Dje u mbushën plot gjashtë muaj që Fatmir Xhindi nuk jeton më.

Po dje familjarët, qytetarët e Roskovecit dhe të tjerë shokë dhe miqtë e tij me përjashtim të pushtetarëve qendrorë dhe lokalë të partisë në pushtet, e kujtuan dhe e nderuan atë me shumë dhimbje,me shumë lot dhe me shumë lule.

Fatmir Xhindi nuk u nda nga kjo jetë për arsye moshe, sepse ishte shumë i ri" e ka nisur deklaratën e tij Ruçi.

"Sot e 6 muaj nëna e tij 85 vjeçare pyet: Kush ma vrau djalin?!

Dhe Sali Berisha me të tijtë hesht.

Dëgjojnë Sali Berishën të thotë se ka fituar betejën ndaj krimit dhe kriminelëve.

Partia Socialiste sot e 6 muaj pyet: Pse u vra përfaqësuesi i saj në prag të shtëpisë dhe në prag të fushatës elektorale?!

Pse sot e 6 muaj kjo vrasje e këtij politikani nuk ka autor?!

Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Po sipas verdikitit të tyre të gjitha nuk qëndrojnë.

Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike' shtoi më tej Ruçi.

"Është politike sepse Policia e Shtetit me qëllim u është larguar detyrave të caktuara nga ligji për zbatimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje.

Rasti i hetimeve për vrasjen e deputetit tregon qartë se policia nuk dëshiron ta zbardhë këtë krim, fakt që provon natyrën politike të këtij krimi.

Përkundër detyrimit që ka në zbatim të ligjit segmente të larta të shtetit, të politizuara deri në palcë, në vend që të kryejnë veprimet e tyre kushtetuese në mbrojtje të rendit publik, të jetës dhe të pronës së shtetasve provokojnë konflikte të pashembullta me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Pra, tashmë është e qartë për të gjithë që Policia e Shtetit është vënë hapur në mbrojtje të bizneseve dhe interesave të pista të Familjes Kryeministrore dhe të klanit të tyre" përfundoi deputeti socialist, Gramoz Ruçi.

k.k/NOA

Â

KOMENTE