English

Studentët e Kamzës, grevë urie për diplomat

Tiranë, 4 nëntor, NOA - Përsëritet sërish akti i futjes në grevë urie të studentëve të universiteteve të vendit, të cilët nuk pajtohen me rregullat e reja të nxjerra nga ministria e Arsimit për diplomat e reja apo llogaritjes së mesatares. Pas një greve të tillë të zhvilluar pak javë më parë në Universitetin e Vlorës, duket se një nismë të ngjashme kanë iniciuar ata të Universitetit Bujqësor të Kamzës në kryeqytet.

Pasi kanë zhvilluar një protestë para dyerve te këtij institucioni, 15 prej tyre kanë vendosur të futen në grevë urie, në emër të asaj që ata e kanë quajtur "mbrojtje të së drejtës së tyre për t'u dëgjuar" dhe "plotësimit të kërkesave të tyre".

Protesta në fjalë zhvillohet konkretisht për diplomat e nivelit të dytë si edhe përllogaritjen e re të mesatares.

"Ne kemi tre javë që i kemi dërguar një kërkesë ministrisë dhe fakultetit, por nuk na është dërguar asnjë përgjigje lidhur me to, prandaj jemi të vendosur të nisim grevën e urisë", kanë pohuar ata.

Policia ndërkaq ka ndaluar hyrjen e studentëve në fakultet, ku duan të nisin dhe grevën.

n.e/NOA

KOMENTE