Tiranë, 5 nëntor, NOA - Korrupsioni është një dukuri, e cila duhet të ndalet në mënyrë emergjente nëpër spitalet shqiptare.
Një apel të tillë, kryeministri Berisha e ka bërë sot gjatë ceremonisë së përurimit të fakultetit të ri të Infermierisë në Tiranë.
Konkretisht, gjatë një takimi me studentët dhe pedagogët e këtij fakulteti, kreu i qeverisë tha se korrupsioni duhet të eliminohet si dukuri në të gjitha shërbimet e sektorit të shëndetësisë.
"Reforma në shëndetësi ëshë mjaft e vështirë, por ne jemi të vendosur që ta realizojmë patjetër atë", ka thënë ndër të tjera Berisha.
Sipas tij, prioritet gjatë reformimit të sektorit të shëndetësisë mbetet ai i dërgimit të sa më shumë punonjësve në zonat e thella të vendit.
Kurse në lidhje me pagat e mjekëve dhe të infermierëve, ai tha se do të bëhet një sistem reference në bazë të vështirësive në punë dhe në bazë të tij, do të caktohet edhe niveli i ri i këtyre pagave.
n.e/NOA