English

Gjirokastër, prezantohet drejtori i ri i policisë

Gjirokastër, 5 nëntor NOA - Ende pa mbushur një javë nga emërimi i tij në krye të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj duket se ka nisur punën "vënçe" fillimisht duke ndërruar drejtuesit e policive në qarqe.

Kështu ditën e sotme është prezantuar në Gjirokastër drejtori i ri i policisë së këtij qarku.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shetit, në krye të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër u emërua, Drejtues i Parë Emri Vata, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Korçë.

Prezantimin e tij para efektivave të policisë e bëri Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj.

Ai ka vlerësuar integritetin moral dhe profesional të Vatës, si dhe ka theksuar se rezultatet e arritura në qarkun e Korçës por edhe më parë në detyrat e tjera që ka kryer janë inkurajuese dhe gjithnjë në rritje dhe shprehu bindjen se këtë detyrë do ta kryej me përgjegjshmëri dhe ndershmëri .

Ndër të tjera ai ka vlerësuar punën e deritanishme të strukturave të policisë së qarkut Gjirokastër, por është shprehur se akoma në këtë qark ka shumë punë për të bërë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar .

Kuliçaj i ka kërkuar Drejtorit të sapo emëruar që së bashku me strukturat e policisë që ka në vartësi të rrisin forcën goditëse ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi dhe veçanërisht ndaj kultivimit të bimëve narkotike .

Ai ka theksuar me forcë se qysh tani të marren masa parandaluese në të gjitha format që lejon ligji në drejtim të kultivimit të bimëve narkotike veçanërisht në zonat e identifikuara me pare pavarësisht se këtë vit kemi tjetër panoramë nga viti i kaluar, si dhe të goditet me tolerancë zero trafiku i lëndëve narkotike dhe klandestinëve.

Një porosi tjetër e dhënë nga Kuliçaj ishte dhe performanca e punonjësve të policisë në komunitet , si dhe pastrimi i radhëve të policisë nga punonjës policie të veçantë të cilët kanë lidhje me elementë trafikantë.

Për të gjitha këto, Drejtori i sapo emëruar Emri Vata, ka premtuar dhe siguruar numrin 2 të Policisë së Shtetit se këto prioritete do përmbushen me sukses nga ai dhe strukturat e policisë së qarkut Gjirokastër.

k.k/NOA

KOMENTE