Tiranë, 5 nëntor, NOA - AMC është zgjedhur si kompania që plotëson më mirë kërkesat e projektit për transmetimin e raporteve periodike për pajisjet fiskale, sa i përket mbulimit me sinjal, cilësisë së sinjalit, teknologjisë moderne, shpejtësisë dhe kostos së ulët.
Ky projekt lidhet me dixhitalizimin e sistemit fiskal në Shqipëri dhe sjell teknologji moderne për të gjithë taksapaguesit.
Në këtë projekt madhor janë përfshirë disa aktorë, duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, shoqëritë e autorizuara për shpërndarjen e pajisjeve fiskale, kompania AMC si ofruese e rrjetit dhe të gjitha shoqëritë private.
Në kuadër të këtij projekti, AMC do t'u sigurojë rrjet GPRS/EDGE shoqërive të autorizuara nga Ministria e Financave për shpërndarjen e pajisjeve fiskale, A.E. Distribution Ltd., BNT Electronic Ltd., I.V.A. Electronic Ltd., CKV Noki Ltd., Rilindja Ltd., dhe PKP Ltd, në mënyrë që kompanitë private që do të përdorin këto kasa të transmetojnë raporte periodike fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave.
Deri tani shoqërive të autorizuara u janë shpërndarë 1 000 kartat e para SIM dhe, në fillim të nëntorit, kartat do t'u shpërndahen kompanive private.
Brenda dy viteve të ardhshëm çdo kompani do të jetë e pajisur me këtë shërbim, i cili është hapi më i rëndësishëm drejt dixhitalizimit të sistemit fiskal në Shqipëri.
Si rezultat, ky projekt do të ndihmojë autoritetet të zvogëlojnë ekonominë informale, ndërsa kompanitë private do të shpejtojnë dhe përmirësojnë marrëdhëniet me autoritetet përkatëse të taksave.Â
AMC është operatori i parë celular në Shqipëri që ka sjellë shërbimet GPRS, EDGE, internet, linja të dedikuara, intranet dhe shërbime të tjera të transmetimit të të dhënave. Në sajë të teknologjisë moderne, mbulimit dhe cilësisë më të mirë me sinjal, produkteve e shërbimeve inovative, AMC është bërë zgjidhja e natyrshme e mbi 1,5 milionë abonentëve.
Për më shumë se një dekadë veprimtari, AMC ka fituar edhe besimin e institucioneve publike dhe u ka siguruar shërbime të teknologjisë së lartë.Â
AMC nënshkroi marrëveshjen me autoritetet dhe shoqëritë përkatëse, si dhe vuri në dispozicion teknologjinë dhe rrjetin e saj për të zbatuar projektin e modernizimit të sistemit fiskal shqiptar.
Tashmë AMC ofron shërbimin Access Point Name (APN) për përdorimin e rrjetit GPRS / EDGE nga shoqëritë e autorizuara dhe zbaton infrastrukturën e nevojshme me akses të drejtpërdrejtë në rrjetin e brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave.
Teknologjia është nga faktorët kryesorë në botën e sotme, ndaj ky projekt është një tjetër kontribut indirekt i AMC në ekonominë shqiptare.
f.sh/NOA