English

Lufta e Perëndimit për myslimanët, SHBA dhe Evropa

Historiani nga Cambriedgi, Brendan Simms, i cili ka studiuar konfliktin në ish-Jugosllavi, para disa viteve ka shkruar se "shumë njerëz në Evropë nuk ia kanë falur SHBA-së faktin se ka pasur të drejtë në lidhje me Bosnjën". "Pjesa më e madhe e myslimanëve, në Britani dhe pjesët e tjera të botës, e kanë harruar këtë angazhim, nëse ndonjëherë kanë pasur fare njohuri për të", shtoi Simms

Nga Dominic Lawson

Mbrojtja e Radovan Karaxhiçit kundër 11 pikave të akuzës për gjenocid nuk e pati fillimin më të mirë të mundshëm para Tribunalit në Hagë. Kryeprokurori e hapi procesin para Tribunalit ndërkombëtar, me publikimin e transkriptim të bisedave të xhiruara telefonike të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, të bëra nga viti 1991, në të cilat Karaxhiç mund të dëgjohet duke thënë:

"Përreth Sarajevës kemi 20 mijë serbë të armatosur. Do të kemi një kazan të zi, në të cilin do të vdesin 300 mijë myslimanë. Ata do të zhduken. Këta njerëz do të zhduken nga faqja e dheut". Është e vërtetë se në këto xhirime nuk përmendet Srebrenica, ku u masakruan mbi 7 mijë meshkuj boshnjakë; por si një indikator i qartë i synimeve gjenocidale, këto xhirime nuk lënë asnjë dyshim. Publikimi i këtyre xhirimeve është vetëm një pjesë e vogël e përpjekjeve, të cilat i ka bërë Perëndimi, për të siguruar drejtësi për familjet e myslimanëve të masakruar. Në vitin 1996, u themelua Komisioni Ndërkombëtar për persona të zhdukur (ICMP), i cili kishte për detyrë që të zbulonte identitetin e një numri sa më të madh të viktimave të luftës në Bosnje. Drejtore e përgjithshme e ICMP-së është një amerikane, Kathryne Bomberger; ajo ka disenjuar morgun më të madh në botë, në të cilin janë deponuar mbetjet e rreth 4 mijë viktimave të luftës. Procesi në Hagë nxjerr në sipërfaqe sjelljet e politikanëve evropianë, gjatë fazës fillestare të luftës në Bosnje. Qeveria konservatore e kryeministrit të Britanisë, John Major, ishte avokati më i fuqishëm për vendosjen e embargos në armatim, e cila pothuajse me siguri do të kishte rezultuar me akte të tjera të gjenocidit kundër myslimanëve të Bosnjës, deri në vitin 1995, kur Bill Clinton bindi BE-në që të japë pëlqimin për ndërmarrjen e sulmeve ajrore. Këto sulme, të mbështetura nga forcat tokësore boshnjake dhe kroate, detyruan serbët që të heqin dorë nga plani i tyre për "spastrimin etnik" të Bosnjës dhe Kroacisë. Në vitin 1999, kur serbët filluan politikën e ngjashme të spastrimeve etnike kundër shqiptarëve të Kosovës, ishte Tony Blair ai, i cili bindi kreun politik për ndërmarrjen e fushatës ushtarake kundër Slobodan Milosevicit. Britania dhe Amerika- nën ombrellën e NATO-s- bombarduan Beogradin dhe atë pa mandat të OKB-së, pasi që fushata u kundërshtua nga Rusia dhe Kina. Suksesi i fushatave të bombardimeve kundër serbëve në Bosnje dhe Kosovë kanë shtyrë Blairin që të besojë se edhe aksioni kundër Saddam Husseinit do të rezultonte me sukses. Ai u prit me lot gëzimi në kampet e refugjatëve nga Kosova, me gjasë ka besuar në një pritje të njëjtë nga ana e shiitëve në Irak, pas përmbysjes së Sadamit nga pushteti. Por siç e dimë të gjithë, ishte ky një rrëfim krejt tjetër. Blair urrehet nga mijëra myslimanë, duke përfshirë këtu edhe nga ata në vendin e tij, të cilët mbështesin idetë, të cilat propagandohen nga Al Qaida dhe ekstremistët e tjerë sunitë. Historiani nga Cambridgi, Brendan Simms, i cili ka studiuar konfliktin në ish-Jugosllavi, para disa viteve ka shkruar se, "shumë njerëz në Evropë nuk ja kanë falur SHBA-së faktin se ka pasur të drejtë në lidhje me Bosnjën". "Pjesa më e madhe e myslimanëve, në Britani dhe pjesët tjera të botës, e kanë harruar këtë angazhim, nëse ndonjëherë kanë pasur fare njohuri për të. Kam vërejtur paaftësinë e SHBA-së që të nënvizojë angazhimin e saj në favor të myslimanëve në Evropë", shtoi Simms. Simms ka njoftuar audiencën myslimane se hebrenjtë prominentë në SHBA, siç janë Richard Perle dhe Paul Wolfowitz, kanë qenë protagonistë kryesues në favor të intervenimit ushtarak për të shpëtuar myslimanët në Bosnje: "Megjithatë, angazhimi i tyre është interpretuar në atë mënyrë, për të nënvizuar se SHBA-ja është armike e SHBA-së", theksoi Simms. Sot, në qendër të vëmendjes së kësaj ideologjie është konflikti në Afganistan. Disa përqeshin SHBA-në, për faktin se ka furnizuar muxhahedinët me armatim në vitet ‘80; furnizimi i fshehtë i këtyre luftëtarëve më armatim ka qenë operacioni më i shtrenjtë i mbuluar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Amerikanët sot ndoshta pendohen për këtë. Megjithatë, gjatë 20 viteve të kaluara, Perëndimi ka qenë kryesisht indiferent ndaj islamizmit. Ndoshta kjo është gjëja që duhet të fyejë më së shumti militantët islamikë. Ata mendojnë se ne kemi qenë gjithmonë të obsesionuar me ta, siç kanë qenë ata me ne. Në të vërtetë, ne pothuajse fare nuk kemi pasur njohuri për ekzistencën e tyre, deri në momentin kur aeroplanët filluan të përplasen për rrokaqiej. Nëse Karaxhiçi paraqitet para gjykatësve në Hagë, atëherë mund të presim që ai të "lëvdohet" se ka luftuar kërcënimin islamik ndaj civilizimit, përderisa Britania dhe SHBA-ja po flinin. Kundër akuzave për gjenocid, cilido argument për mbrojtje do të bëjë punë.

(*) "The Times"

KOMENTE