English

Mos prekni lajmësin!

"Një aliazh i rrezikshëm paraje e pushteti po merr formë sot në Shqipëri. Pikërisht një fabulë të tillë, Mero Baze ka muaj që ia zbulon shqiptarëve. Ky fenomen e gjen simbolikën e tij më të goditur në Rusinë e Vladimir Putinit, ku të jesh gazetar do te thotë te jesh ne krye te listës se killerave me pagesë. Fatmirësisht nuk ende nuk kemi një Ana Politkovskaja mes nesh, por kemi gjithnjë e më prezent atë përzierje rrethanash që mund të çojnë dikur edhe në raste të tilla ekstreme si ai i gazetares së famshme ruse të vrarë në mes të Moskës"

Nga Skënder Minxhozi

Do të qe e vështirë edhe për partitë e mëdha politike që të mblidhnin më shumë njerëz në sheshin para kryeministrisë në një ditë të zakonshme gri si kjo e sotmja, sesa turma paqësore e gazetarëve e qytetarëve që protestoi për incidentin e shëmtuar të parmbrëmshëm, ku gazetari Mero Baze pësoi edhe një herë tjetër dhunën fizike për shkak të profesionit që ushtron.

Një histori e pare edhe në të shkuarën, në të tjera rrethana konkrete e me të tjerë autorë, përveç njërit prej tyre: gazetarit Mero Baze.

Një aliazh i rrezikshëm paraje e pushteti po merr formë sot në Shqipëri. Pikërisht një fabulë të tillë, Mero Baze ka muaj që ia zbulon shqiptarëve.

Ky fenomen e gjen simbolikën e tij më të goditur në Rusinë e Vladimir Putinit, ku të jesh gazetar do te thotë te jesh ne krye te listës se killerave me pagesë.

Fatmirësisht nuk ende nuk kemi një Ana Politkovskaja mes nesh, por kemi gjithnjë e më prezent atë përzierje rrethanash që mund të çojnë dikur edhe në raste të tilla ekstreme si ai i gazetares së famshme ruse të vrarë në mes të Moskës.

Shqipëria e viteve '90, kur gazetat digjeshin, po zëvendësohet ngadalë me realitetin e deformuar të mediave ne shërbim te hapur te politikes e biznesit hileqar, i cili i shkon nga pas konjukturës së momentit, për të marrë përfitimin e momentit.

Kjo është një situatë e rrezikshme, madje asgjësuese për fjalën e lirë. Në të gjitha kuptimet e termit.

Mero Baze nuk është një gazetar komod. Temat që ai ka hedhur ndër vite në mediat shqiptare kane pasur kryesisht qëllimin e provokimit të një debati të caktuar.

Baze nuk ndjehet i qete me lajmin protokollar, me kroniken formale, me fasadën dhe dukjen e jashtme.

Është pra një "specie" gazetareske e destinuar për të qenë në minorancë, ne mjedisin e ndrydhur të një medie, e cila censurën dhe autocensurën i ka kthyer në reflekse të kushtëzuara në jetën e përditshme.

Por ky nuk ka pse të jetë as problemi e aq më pak kalvari i këtij gazetari kurajoz dhe përjetësisht në konflikt me shtetin.

Marrëdhënia e Mero Bazes dhe gazetarëve të tjerë me politikën dhe biznesin nuk ka pse të deformohet as sipas interesave të botuesve, e as sipas shijeve e pazareve të pista që klasa politike ka bërë e bën me komunitetin e biznesit në këtë vend, duke bërë që "Taçi të ngatërrohet rregullisht me Cacin".

Metafora e lajmësit që nuk ka faj vlen sidomos për këtë rast, ku për shkak të një realiteti të deformuar dhe të korruptuar, goditen e gjakosen ata që ua bëjnë të ditur njerëzve faktet e historitë e pakëndshme te Shqipërisë së sotme.

Nëse mbyllim sot gojën për Mero Bazen, duhet të presim që fatin e tij ta pësojmë të gjithë një ditë.

Fat më të mirë nuk kemi pse të presim, pasi fati zakonisht i buzëqesh atyre që dinë ta ndjekin dhe të ndryshojnë, jo atyre qe rrinë e presin pafundësisht Godone.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE