English

Nga Gjoleka tek Rezart Taçi

Rezart Taçi është produkt i abuzimit me ligjin, nuk mund të jetë një biznesmen race dhe sado të përpiqet, nuk mund të sillet deri në fund si i tillë. Në fund ai i rikthehet zanafillës, arrogancës, grushteve dhe forcës që i buron pikërisht nga hapësira pa kufi që ka në dispozicion për të abuzuar me ligjin

Nga Armand Shkullaku*/ Foto: LSA

Sulmi fizik mbi Mero Bazen në një bar në qendër të Tiranës, nuk është një rastësi. Ai nuk është një shpërthim i pakontrolluar i dhunës së një individi, i prekur nga shkrimet kritike të një gazetari. Ky akt banditesk është shumë më tepër se kaq. Është materializim i arrogancës së një grupi individësh, të cilët janë mësuar të arrijnë gjithçka me pushtetin e parave, të shërbimit dhe të abuzimit. Janë një grup njerëzish, që në thelb ngjajnë të njëjtë, që nga Gjolek Malaj, i cili e dërgoi në spital Mero Bazen në fushatën zgjedhore të vitit 2005 dhe deri tek Rezart Taçi, që imitoi Gjolekën 4 vjet më pas. Problemi nuk qëndron me ta, por me sistemin që prodhon krijesa të tilla. Është dramatike të mendosh që pas katër vjetësh Shqipëria vazhdon të përballet me të njëjtin fenomen. Sigurisht që në pamje të parë forma duket e ndryshme. Rezart Taçi nuk kalon disa kamionë pa doganë, apo nuk përfiton ndonjë leje modeste ndërtimi. Ai është milioner, privatizon ndërmarrje të mëdha, sjell Milanin në Tiranë, flet në telefon me Berluskonin, ndihmon fëmijët në nevojë, jep intervista në mediat kryesore të vendit, flet gjuhë të huaja dhe zgjedh veshje elegante. Por, mjafton një moment dhe të gjitha këto shumëzohen me zero. Rezart Taçi del në origjinën e fenomenit që e ka pjellë. Ai nuk është rezultat i konkurrencës së ndershme të tregut, ai nuk është prodhim i rregullave normale të kapitalizmit, as i ndonjë biznesi dhjetra vjeçar, apo i ndonjë trashëgimie të pasur familjare. Ai është produkt i abuzimit me ligjin, nuk mund të jetë një biznesmen race dhe sado të përpiqet, nuk mund të sillet deri në fund si i tillë. Në fund ai i rikthehet zanafillës, arrogancës, grushteve dhe forcës që i buron pikërisht nga hapësira pa kufi që ka në dispozicion për të abuzuar me ligjin. Grushtet e tregtarit të naftës mbi Mero Bazen nuk janë pra një rast specifik. Ato janë pasojë e lehtësisë me të cilën një njeri në Shqipëri gdhihet brenda natës në miliarder dhe askush nuk heton se si e bëri gjithë këtë pasuri. Janë pasojë gjithashtu edhe e alkimisë shqiptare që, po ashtu brenda një nate, një individ e shndërron nga kontrabandist në investitorin kryesor strategjik në vend. Si shpjegohet që Rezart Taçi, një djalë i sjellshëm dhe me maniera nganjëherë gati femërore, të bëhet papritur "i fortë" dhe të godasë një gazetar në mes të publikut? Shpjegohet pikërisht me sigurinë se pas sulmit mund të largohej pa e ndaluar askush. Shpjegohet me arrogancën që fitohet kur në rrugën e abuzimit me ligjin nuk has asnjë pengesë. Kur mund të bësh afera të dyshimta dhe askush nuk të heton, kur mund të nëpërkëmbësh dogana dhe zyra taksash pa të hyrë therë në këmbë, kur mund të tallesh me blerjen e Milanit, apo Real Madridit, dhe mediat të trajtojnë seriozisht. Kur në fund të fundit mund të sillesh si të duash, sepse ke pas vetes forcën e pushtetit që i shërben. E çfarë mund ta ndalonte, pra, Rezart Taçin ta godiste Mero Bazen? Vetëm grushti ishte i tij, krahu që i dha forcë për të goditur është kryekëput i pushtetit. I atij pushteti që i jepte guxim edhe Gjolekës, edhe bodigardëve, edhe shikasve të dikurshëm. Por, në guximin e një tregtari nafte për të sulmuar fizikisht një gazetar nuk është vetëm dora e pushtetit. Aty kanë pjesë edhe mediat që fenomenin Taçi e trajtuan si histori suksesi të një biznesi dhe nuk hetuan pjesët e errëta të bizneseve të tij. Në të njëjtën ditë me lajmin e goditjes së Mero Bazes, botoheshin njoftime për ardhjen e Real Madridit në Tiranë me ftesë të Rezart Taçit. Në arrogancën e këtij individi ka përgjegjësi edhe komuniteti i tredhur i biznesit shqiptar, që vetëm di të ankohet nëpër tavolina dhe kurrë nuk protestoi me dinjitet për abuzimet me konkurrencën e lirë. Në rrugën e tij, Rezart Taçi nuk hasi asnjë pengesë, e si mundej pra ta pengonte vetëm Mero Baze? Prandaj ai e goditi atë pa iu dridhur dora. Sulmi ndaj Mero Bazes nuk është vetëm materializim i arrogancës së këtij soji individësh me mbështetje të pastër politike. Ai është edhe një shenjë alarmante për shtypin e lirë në Shqipëri. Nëse nuk reagohet tani, nuk është çudi që pushteti në Shqipëri, jo vetëm të prodhojë biznesmenë të tipit putinist, por edhe të sillet ndaj gazetarëve si regjimi i Moskës. Komuniteti i mediave duhet t'i kërkojë kryeministrit Berisha që për këtë rast të aplikojë të njëjtin standard që kërkoi për rastin e Gjolek Malajt, pavarësisht nëse qëndrimet e Mero Bazes atëherë i shkonin për shtat e tani jo. Ai duhet të bëjë të njëjtin presion që bëri atëherë që fajtori të ndalohet dhe të dënohet. Në të kundërt, ashtu siç e kanë thënë dhe shumë kolegë të tjerë, ka ardhur koha kur duhet patur vërtetë frikë. (*) Marrë nga "Express"

KOMENTE