Karaxhiç synonte t'i frikësojë njerëzit deri në vdekje, për të lejuar ushtrinë të hyjë në qytet. Serbët do të ishin në njërën anë, myslimanët në tjetrën. Sa për kroatët, ata do të ktheheshin në Kroaci. Ai madje kishte ofruar autobusë, si "akt zemërgjerësie"
Nga Gordana Knezheviç, RFE
Plumbat e parë që janë shkrepur, shkatërruan dritaret e dhomës sime të lajmeve në të përditshmen "Oslobogjenje". Ishte Sarajeva në prillin e vitit 1992. As Radovan Karaxhiç, lideri i serbëve të Bosnjës, dhe as komandantët e tij ushtarakë nuk patën dhënë asnjë paralajmërim për këtë pushtim. Nga Zvorniku, një qytet ky në lindje të Bosnjës, kishte ardhur lajmi se forcat serbe kishin vrarë korrespondentin tonë, Kjasif Smajloviç. Trupi i tij është gjetur pas luftës, në një varrezë masive. Ndërtesa ku ne punonim, zhdukej gradualisht dhe futej nën rrënoja, si rezultat i bombardimeve nga forcat e Karaxhiçit. Po atë verë, kolegu im, Salko Hondo, qe vrarë. Isha personi i fundit të ketë folur me të, para se të nisej drejt vdekjes. E përballur me humbjen e një miku, u ndjeva e mposhtur. Të gjitha përpjekjet tona s'kishin më kuptim. Asnjë artikull nuk ia vlente jetën. Mesazhi i thjeshtë Brenda një qasjeje për masakrim të përgjithshëm të civilëve, nuk mund të ketë asnjë logjikë tjetër përveç faktit për të na sjellë të gjithëve në gjunjë. Karaxhiç dhe përkrahësit e tij synonin të na frikësonin deri në vdekje, për të lejuar ushtrinë të hyjë në qytet. Serbët do të ishin në njërën anë, myslimanët në tjetrën. Sa për kroatët, ata do të ktheheshin në Kroaci. Ai madje kishte ofruar autobusë, si "akt zemërgjerësie". Mesazhi i tij ishte i thjeshtë dhe ishte përsëritur qindra herë para luftës: njerëz të përkatësive të ndryshme etnike nuk mund të jetonin së bashku. Çfarëdo pyetjeje që i bëhej, përgjigjja e tij ishte e njëjtë, konstante: "Përderisa Jugosllavia po zhbëhet, Bosnja s'mund të ekzistojë si një vend shumetnik". Pavarësisht fuqisë ushtarake që kishte dhe terrorit që kishte ushtruar, personalisht, vendosa të mos lejoj të keqtrajtohem nga Karaxhiçi dhe planet e tij për të ndërtuar një Serbi të madhe në kurriz të Bosnjës. Kjo ishte arsyeja pse shkova të bisedoj me ish-kolegun e tij nga periudha sa ishte psikiatër - Ismet Ceriq, shefin e departamentit psikiatrik në spitalin Koshevo të Sarajevës. "Mos u shqetëso", më tha. "Nëse Radovani është duke komanduar armatën, ata do ta humbin luftën. Vazhdimisht e shoh në televizion duke parë harta topografike dhe unë e di se ai s'di t'i lexojë ato. Nuk ka pasur asnjë ditë të vetme të trajnimit ushtarak". Një njeri i rëndomtë Isha e befasuar me qetësinë e Ceriçit, posaçërisht për faktin se ishte mysliman. Ai e përshkroi Karaxhiçin si një mjek dhe njeri të rëndomtë. Nuk ishte ajo çfarë shpresoja - diçka që do të më ndihmonte të shpjegoj evoluimin e tij në një vrasës masiv. Vetëm kur lexova filozofen hebreito-gjermane, Hana Arent, mbi pikëpamjet që kishte për arkitektin e Holokaustit, Adolf Eihman, fillova të kuptoj për çfarë fliste Ceriç. "Problemi me Eihmanin qëndronte pikërisht te fakti se kishte aq shumë njerëz si ai dhe asnjëri prej tyre nuk ishte sadist; përkundrazi, ishin tmerrësisht dhe në mënyrë të frikshme njerëz normalë", shkruan Arent në librin e saj "Eihman në Jerusalem", në të cilin ajo doli edhe me termin historik "banaliteti i së keqes". "Nga pikëpamja e institucioneve tona të ligjshme dhe standardeve tona morale të gjykimit, ky normalitet ishte shumë më i frikshëm se të gjitha krimet që janë bërë deri më tash". Arent shkruante se e gjithë bota dëshironte ta shihte si përbindësh personin përgjegjës për vdekjen e miliona hebrenjve dhe në vend të kësaj, gjykatësit, në gjykimin e tij në Izrael, përballeshin me një "lloj të ri të kriminelit", i cili madje në çaste të caktuara dukej si palaço. Sikurse Eihmani, ashtu edhe Karaxhiçi është skajshmërisht i paaftë për të pranuar përgjegjësinë e tij personale kundrejt viktimave. Në ndjesinë e tij të realitetit të luftës, ai ishte thjesht duke krijuar një hapësirë të përshtatshme jetese për serbët. Sot, është e vështirë të merret me mend se Karaxhiç është një person i zakonshëm dhe i thjeshtë, i cili po bën çmos për të shmangur drejtësinë. "Normaliteti" i dukshëm i Karaxhiqit është absolutisht jashtë binarëve në raport me shkallën e krimeve që ka bërë.