English

Pr/buxheti i 2010, Berisha: Buxheti më ambicioz në gjithë fushat

Tiranë, 5 Nëntor NOA-Mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha e ka cilësuar më të rëndësishmin për shkak se është shqyrtuar pr.buxheti i vitit 2010.

Në fjalën e tij mbajtur para kabinetit ministror dhe mediave, Berisha e cilësoi buxhetin e vitit 2010, më ambiciozin pasi premton realizime të mëdha në të gjitha aspektet.

Orientimet kryesore të këtij projektligji janë politikat e rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve; riorganizimi tërësor i ndihmës ekonomike; mbështetja e reformave në arsim, shëndetësi, në shtrirjen e shoqërisë së informacionit në kuadër të projektit madhor Shqipërisë në moshën dixhitale, mbështetja e projekteve të mëdha në fushën e infrastrukturës, të zhvillimit rural dhe bujqësisë.

Pagat dhe pensionet

"Ky buxhet mbështet sërish politikën tonë të rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve dhe mendoj se kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme.

Përparësi në këtë rritje do të kenë sërish pagat e ulëta dhe të mesme.

Niveli i pagave të larta do të ketë një rritje modeste, pa inflacionin prej 2 përqind, me inflacionin prej 4 përqind.

Ndërsa do kenë rritje të ndjeshme pagat e mesme, të mësuesve, rritje të madhe do të kenë ato të infermierëve dhe mjekëve në sistemin e ri, rritje të ndjeshme do të kenë pagat e policisë, ushtrisë dhe administratës.

Rritje të ndjeshme, në përputhje me platformën elektorale, do të kenë pensionet.

Ne jemi të vendosur të ecim drejt qëllimit tonë të barazimit të pensioneve fshat-qytet. Ndaj edhe kjo rritje do të jetë më e madhe për pensionet e fshatit, sepse pensionet e fshatit janë më të ulëtat në vend dhe pavarësisht se ato u dyfishuan, sërish mbeten në nivele që duhen rritur më tej", u shpreh Berisha.

Reduktimi i varfërisë

Gjatë prezantimit të pr.buxhetit, Berisha deklaroi se do të riorganizohet ndihma ekonomike me qëllim përfshirjen në skemë të gjithë familjeve që jetojnë nën minimumin e varfërisë.

"Nuk duhet të ketë familje në Shqipëri, nuk duhet të ketë qytetarë shqiptarë që të zgjohen dhe erren me dhimbjet e mjerimit.

Ne do të adaptojmë një skemë të tillë që do të shkojmë drejt zgjerimit të mjerimit apo siç quhet, varfërisë së skajshme në Shqipëri, që, sipas një studimi, është 1.3 për qind, por edhe pse në përqindje duket e vogël, është për t'u marrë me seriozitet, pasi janë mijëra familje", tha Berisha.

Infrastruktura

Rruga e Arbrit do të jetë një nga orientimet e buxhetit të ri me qëllim që të mund të përfundojë deri nga fundi i vitit 2011 apo gjysma e vitit 2012.

Berisha deklaroi se do të ecet me shpejtësi drejt boshtit të jugut; segmenti Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Berat; shpresoj që nga fundi i vitit të ardhshëm boshti i jugut të fillojë dhe në trajektoren Berat-Tepelenë.

Zhvillimi rajonal

Në epiqendër të zhvillimit rural do të jetë fshati, bujqësia, problemet e saj.

Ky buxhet do të jetë buxheti i projekteve të mëdha në fushën e bujqësisë.

Arsimi

Në lidhje me reformat në arsim, kryeministri Berisha deklaroi se qeveria duhet të bëjë hapa serioze këtë vit në mënyrë që në vitin 2013 të jemi të gatshëm për vendimin e arsimit të mesëm të detyrueshëm.

"Nuk kemi pse të lëmë fëmijë, të rinj e të reja pa mbaruar shkollën e mesme.

Kjo do të na kushtojë më shumë, por është një çmim i dobishëm për t'u paguar", tha në fjalën e tij, kryeministri Berisha.

Dixhitalizimi i administratës

Duke filluar nga dhjetori që vjen në të gjitha nivelet e administratës shqiptare do të fillojnë kurset e IT-së.

Berisha deklaroi se në këtë administratë, nuk mund të ketë punonjës që nuk përdor dot kompjuterin.

"Ne do të krijojmë kushtet, por ky do të bëhet një kusht themelor i qenies i punësuar si punonjës administrate, sepse nuk mund të pretendojmë përdorim të gjerë të kompjuterit në fshatrat më të largëta të vendit, duke mos pasur përdorim të plotë të tij në administratën shqiptare", tha Berisha.

Mjedisi

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i ka kërkuar deklaroi se dhe mjedisi futet ndër prioritetet e saj për vitin 2010.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë kur ankohen dhe gjykojnë mjedisin nga kryeqyteti i tyre, pasi, vërtet, situata është e papranueshme. Me këtë rast ai kërkoi indirekt që kryetari i bashkisë së Tiranës të pranojë ofertën e qeverisë për ndërtimin e unazës së Tiranës.

"Segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë bashkia dhe madje, ne jemi të gatshëm të marrim borxhin për bashkinë pjesën jashtë qytetit që del në territorin e komunave të tjera. Tirana, ndotjen 2 herë më të lartë se qytetet e tjera e ka pikërisht nga trafiku", tha Berisha.

Kryeministri deklaroi se më 1 janar të vitit 2010 nuk do të ketë më D2 për përdorim për makinat e të gjithë vendit, duke reduktuar ndotjen e mjedisit nga një prej shkaktarëve të tij.

Ministria e Mbrojtjes në këtë buxhet ka 2 përqind, në përputhje me zotimin tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Ministria e Integrimit do të ketë të gjitha investimet e nevojshme për të mobilizuar të gjitha resurset njerëzore për t'iu përgjigjur me dinjitet procesit të integrimit.

Ministria e Ekonomisë, më shumë fonde për të vazhduar fuqishëm reformën rregullatore dhe proceset e zhvillimit të mëtejshëm të burimeve energjetike të vendit dhe minierave dhe sektorëve të tjerë.

Ministria e Jashtme do të përkhahet për hapjen e ambasadave në disa vende dhe modernizmin e sistemit të vizave.

Po kështu Ministria e Brendshme do të ketë të gjithë mbështetjen për kontrollin e integruar të kufijve.

"Zoti Ministër, zotimi ynë në 4 vjet është që mesatarja e krimit në Shqipëri të jetë në nivelet e ulëta të kriminalitetit në vendet anëtare të BE", iu drejtua Berisha ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

m.i/NOA

KOMENTE