English

"Taçi-Baze", kush do ta mbrojë të vërtetën?

A mos vallë gazetarët, (një pjesë e tyre) po e shpërdorojnë pushtetin e katërt? Pushtet që nuk u kanë shpikur vetë, që nuk e kanë fituar vetë, pushtet që e kanë gjetur, pushtet i cili është fituar me mund në sajë të rrëfimit dhe raportimit të së vërtetës

Nga Jonida Azizaj*

Të qëllosh me grusht një person tjetër, në ditët e sotme, në mes të një lokali tepër të frekuentuar, padyshim është një akt i rëndë, jo qytetar, i cili duhet dënuar. Për më tepër kur personi i sulmuar është një gazetar dhe personi sulmues (kjo ende nuk është vërtetuar) është një biznesmen tepër i dëgjuar.

Sipas dëshmisë së vetë të sulmuarit zotit Mero Baze, thuhet se arsyeja e sulmit ishte profesioni i tij, gazetar. Pra sipas gjasave dhe dëshmive të tjera të dy miqve që ndodheshin në tavolinë me gazetarin Baze, në fjalë më të thjeshta kemi këtë ngjarje: "Një biznesmen tepër i njohur për publikun që qëllon një gazetar po kaq të njohur për publikun, nën prezencën e personazheve të tjerë tepër të njohur, në një lokal në mes të ish bllokut në një orar të mbrëmjes me shumë lëvizje." Sipas të dhënave të deritanishme, kemi një kallëzim nga ana e gazetarit Mero për sulmin fizik që i është bërë. Kemi dy dëshmi të dy gazetarëve të njohur për sulmin. Kemi dhe një deklaratë për shtyp të zotit Rezar Taçi që mohon të ketë sulmuar gazetarin Mero.

Nuk dua të merrem me faktin nëse është e vërtetë që biznesmeni, apo truprojat e tij e qëlluan zotin Baze, edhe pse më duket e çuditshme sesi një biznesmen me eksperiencë disa vjeçare, të harrojë faktet e sipërpërmendura, të harrojë figurën e vet publike dhe të qëllojë mbi një gazetar, duke e ditur tepër mirë se çfarë pasojash sjell një akt i tillë, dhe se çfarë vule i lë atij mbi shpinë.

Deri më tani janë shtruar një sërë pyetjesh lidhur me këtë ngjarje: "Kush e nisi i pari? A ishte rastësisht zoti Baze në atë lokal? Vallë nuk e dinte gazetari me sistemin informativ mesazhues më të fuqishëm se kushdo tjetër, se në atë lokal ishte edhe biznesmeni Taçi? Tepër rastësisht kemi edhe faktin që gazetari Baze kishte paralajmëruar një emision të posaçëm për çështjen e tatimeve të zotit Rezar Taçi. Mos vallë ndoshta kemi të bëjmë me një provokim? Mos ndoshta nuk janë thënë të gjitha nga ngjarja e ndodhur?"

Vitet e fundit, dhe përplasjet e shpeshta në fushën e politikës, por jo vetëm na kanë treguar se jo gjithçka që shkëlqen është ar. Dhe jo gjithçka që është e ndryshkur është fundërrinë. Por mbi të gjitha askush nuk na ka vendosur gjykatës për të vlerësuar të gjitha faktet dhe ndodhitë e asaj mbrëmjeje, që padyshim nuk janë aq të thjeshta, dhe nuk janë zbuluar plotësisht e vërtetësisht.

Sërish dua të theksoj se nuk kam interes të mbroj asnjërin nga të dyja palët në zënkën e turpshme. Ajo që paraqitet tepër shqetësuese në valën e mediave të panumërta elektronike dhe të shkruara është gjuha e një pjese të gazetarëve shqiptarë.

Pikërisht për këtë dua të rikujtojmë përplasjet e javës së shkuar, ku spikasin: çështja Taçi Oil në luftë me tatimet;Â prona private në qendër të Tiranës që kthehet në lulishte;Â përplasja e policisë në Vlorë me disa të vetëquajtur pronarë.

Ngjarjet në terren janë përcjellë nga televizione të ndryshme. Personalisht ende nuk e kam kuptuar se kush ka të drejtë në tre përplasjet e mësipërme. Deri më tani askush nga gazetarët, analistët, e gjithologët, nuk e ka shpjeguar qartë, me anë të fakteve kokëforta, se kush ka të drejtë, ka policia bashkiake që mbron tokën e një pronari të ligjshëm apo shteti që pretendon se kjo duhet të jetë lulishte me pemë dhe jo një pronë e rrethuar me llamarina në mes të kryeqytetit?

Kush e ka të drejtën Taçi Oil që pretendon se ka dorëzuar dokumentacionin e plotë në tatime dhe s'i është kthyer përgjigje, apo organi tatimor?

E në fund, kush e ka të drejtën pronarët e ligjshëm, apo ata që pretendojnë se janë pronarë, meqë prindërit e tyre kanë punuar në arat e kooperativës, dhe për këtë qëllojnë policët me gurë?

Prisja më kot nga mediat të sqaronin qartë dhe thjeshtë ngjarjet e ndodhura, përsenë e akteve të dhunës, madje prita më kot që gazetarët të intervistonin specialistë ligjorë për të sqaruar dhe për t'i shpjeguar qartësisht publikut, se cila është e drejta ligjore. Të mos harrojmë që televizioni përveç zërit është edhe figurë, dhe mjaft herë figura flet, intervistat flasin vetë. Por duket se pjesa më e madhe e gazetarëve nuk mjaftohet vetëm me transmetimin e fakteve për ta lënë shikuesin të kuptojë se kush ka të drejtë, por i gjejmë të pozicionuar në dy anë. Por jo vetëm kaq, këta gazetarë të paemër, nuk mjaftohen me detyrën, raportim të informacionit, por janë kthyer në gjykues dhe në çdo fjali, koment, apo tekst të kronikës së tyre, e mbushin me pandehma dhe vlerësime përfundimtare, Kështu: " zoti X është përfitues prej më shumë se një viti duke marrë lek nga xhepat tanë, ose "Zoti Y ka shfrytëzuar tokën e një tjetër personi duke ia vjedhur atij." Apo zoti X nuk është blerës i rregullt, por e ka vjedhur atë tokë pa të drejtë", apo më keq "U është rrëmbyer toka pronarëve në Vlorë"

Më duhet të kujtoj që një nga rregullat themelore të gazetarisë është të mos mbahet qëndrim por thjesht dhe ftohtë të shfaqen faktet dhe ngjarjet. Nuk i lejohet askujt gazetar që në kronikat e lajmeve apo të emisioneve të tjera analitike të fakteve reale të vendosë epitete apo krahasime, duke cilësuar njerëz pa të drejtë si hajdutë, vrasës, apo kriminel, kur këtë të drejtë e ka vetëm organi gjyqësor. Askujt nuk i lejohet të ndryshojë fjalët dhe të vërtetat e thëna nga persona të tjerë, apo të shprehë në raporte informimi keqardhje, dëshpërim, apo pezmatim për ngjarjet e ndodhura.

A mos vallë gazetarët, (një pjesë e tyre) po e shpërdorojnë pushtetin e katërt? Pushtet që nuk u kanë shpikur vetë, që nuk e kanë fituar vetë, pushtet që e kanë gjetur, pushtet i cili është fituar me mund në sajë të rrëfimit dhe raportimit të së vërtetës.

E ndërsa të gjithë ne nga shtëpia dëgjojmë sesi bëhen akuza të tilla të disa gazetarëve ndaj personave të tjerë publikë, asnjëherë nuk e kemi pyetur veten se si do të reagonim në gjaknxehtësi e sipër sikur, pa të drejtë të dëgjonim emrin tonë të lakohej nga mediat, jo thjesht në mënyrë negative, jo thjesht aludim për veprime korruptive, por sikur të dëgjonim nga zëri i gazetarëve që unë, ti, tjetri, ne, familjarët tanë, në një çast akuzohemi pa të drejtë se jemi "hajdutë", vrasës, kriminel? Â

Në gjuhën juridike, ekziston një koncept, sipas të cilit, derisa pa u shpallur fajtor nga një vendim gjyqësor, je i pafajshëm, dhe askush nuk ka të drejtë të të akuzoj si të tillë.

Përpara se shoqatat tona të gazetarëve , të vendosin dhjetë mijë euro shpërblim për "kapjen" e Rezar Tacit, veprim që duket tepër qesharak, dhe në vend që t'i japë rëndësi asaj çfarë ndodhi thjesht e shëmton dhe e ul më shumë, duke na kujtuar filmat e kaluar mode western, ku përherë ka një personazh "Wanted" (i kërkuar), do të bënte mirë që ato para t'i shpenzonte me ndonjë trajnim me vlerë për gazetarët shqiptarë, ku t'u mësonte se çfarë është një raportim i paanshëm i lajmit.

Me këtë, arsyetim nuk dua të mbroj në asnjë lloj mënyre dhunën e ushtruar ndaj zotit Mero, madje theksoj se dënoj çdo lloj akti dhune, jo vetëm fizike por edhe verbale.

Pikërisht tek dy fjalët e fundit, qëndron enigma më e madhe mbi të vërtetën e ngjarjeve të sotme. Termat akuzues: hajdut, bandit, vjedhës, kriminel, shpërdorues, çka përmbledhin togfjalëshin "dhunë verbale" përdoren padrejtësisht dhe në mënyrë të pakufizuar nga një pjesë e mediave shqiptare. Pyes - Cila shoqatë duhet të ngrihet për të mbrojtur të vërtetën? Ajo çfarë kemi në tavolinë deri më tani është dhuna verbale përballë dhunës fizike. Me sa duket, ndeshja do të mbetet e hapur për një kohë të gjatë.

(*) Dërguar nga autorja

KOMENTE