Politikanë të sinqertë dhe të vërtetë janë vetëm ata që u thonë qytetarëve se nuk mund t'ua përmbushin premtimet pa u bërë aktivë edhe vetë qytetarët. Pra, një demokraci ku qytetari është pjesëmarrës e jo spektator i cili pret ta përfaqësojnë. Me një qytetar spektator dhe pasiv nuk ecet para
Nga Albin Kurti
"Demokracia është qeverisje e popullit, nga populli, për popullin - me theks të veçantë te qeverisja" - Harold Wilson Kutia e votimit është një vend ku qytetari takohet me sistemin. Aty ai provon ta zgjedh kandidatin nga i cili dëshiron të përfaqësohet. Nuk dihet nëse qytetarit do t'i plotësohet kjo dëshirë. Dhe nuk dihet se për kë ka votuar ai. Mirëpo, dihet që gjithsesi me atë rast ai e ka legjitimuar sistemin nga ana e tij dhe ia ka plotësuar këtë dëshirë sistemit. Kur kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gabimisht thoshte që votimi është obligim kushtetues (dhe jo një e drejtë që fundja mund të mos shfrytëzohet), ai vetëm sa po e shprehte këtë dëshirë të sistemit për t'u legjitimuar. Në një vend si puna e Kosovës ku ka rregullisht votime për parti, por asnjëherë nuk ka referendum për asnjë çështje (si privatizimi, decentralizimi, Kushtetuta, flamuri, himni, etj.), votimi patjetër degradon në legjitimim. Mosvotimi në Kosovë nuk është as indiferencë e as pasivitet. (Paramendojeni po të kishim referendum për integrim në NATO apo BE, se çfarë do ta kishim pjesëmarrjen e qytetarëve me atë rast). Njerëzit te ne nuk votojnë sepse ndjehen të mashtruar nga i gjithë ky sistem që i pasuron politikanët e i varfëron qytetarët. Jashtë çështjeve të ekonomisë dhe të sovranitetit (për të cilat nuk po zgjedh paraprakisht qytetari), demokracia është veçse demokraci formale (e cila e ka për qejf legjitimimin posteriori nga qytetari). Pasi që e shitën Kosovën si resurs (përmes privatizimit neoliberal) dhe si territor (përmes decentralizimit mbi baza etnike), tash e ftojnë qytetarin të zgjedhë! Qytetari nuk po ftohet të zgjedh kurrfarë të ardhme, por po ftohet që t'ia jep aminin së kaluarës, avazit të vjetër. Përfshirja formale e qytetarit është manipulim me qytetarin. Edhe në këto zgjedhje, të pasurit (që janë pakicë) po i kërkojnë votat e të varfërve (që janë shumicë), në mënyrë që të pasurohen edhe më shumë. Asnjë nga kandidatët që po garojnë nuk është i papunë në Kosovë ku papunësia është 60 për qind. Asnjë kandidat nuk është i varfër në Kosovë ku 40 për qind jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Asnjë kandidat nuk është nga shtresa tejet e varfër dhe e uritur, në Kosovë ku 18 për qind jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Partitë politike po harxhojnë miliona euro në fushata bajate. Ato kërkojnë votat e qytetarëve shumica e të cilëve janë ose të varfër, ose të papunë, e zakonisht të dyja këto. Por, partitë nuk u japin të holla të varfërve e të papunëve dhe nuk investojnë në ta e për ta. Partitë duan që qytetarëve të cilëve ua kanë marrë mirëqenien dhe perspektivën, tash t'ua marrin edhe votën. Votat e qytetarëve shndërrohen në para për politikanët. Më shumë vota, më shumë para. Më shumë para, më shumë vota. Për edhe më shumë para. Por, nga bisedat e shumta me qytetarë të ndryshëm, jam bindur se edhe ata pak që do të votojnë dhe legjitimojnë këtë sistem, nuk besojnë në të. Më parë besojnë në përfitimet e drejtpërdrejta që mund t'i nxjerrin nga sistemi i këtillë. Një numër i konsiderueshëm i votuesve kosovarë e kanë kuptuar tërë lojën dhe orvaten të nxjerrin përfitime nga kjo lojë. Nëse e ndihmon në fushatë filan partinë dhe në fund e voton kandidatin e saj, kjo mund të të shpërblehet pastaj me ndonjë vend pune që ta ofrojnë si shpagim për angazhimin militant, ose edhe me ndonjë tender komunal a qeveritar. Madje, nuk është e thënë që të kesh kompani tënden për të fituar tender. Tenderi ta krijon edhe kompaninë që duhet ta fitojë atë tender. Lojaliteti partiak e bën të realizueshme edhe të paimagjinueshmen. Këta votues nuk konsiderojnë që demokracia kosovare ua përmirëson gjendjen të gjithëve ose shumicës, e mandej rrjedhimisht edhe atyre, por ata janë të bindur që demokracia jonë edhe ashtu e avancon vetëm një pakicë, dhe është mirë që të shtyhen për të zhvatur diçka edhe këta. Shteti tashmë është privatizuar, shteti është uzurpuar e po vidhet, dhe çfarëdo vjedhje nga të tjerët është veçse vjedhje e plaçkës së hajnave, besojnë këta. Kësisoj, shumica e asaj pakice që voton, këtë e bën meqë përfiton direkt nga pjesëmarrja në proces: e ka ndonjë të afërm ose shok që kandidon dhe andaj shpreson në përfitim për vete, ose, megjithatë, i konvenon materialisht kjo situata aktuale në të cilën sado-kudo është duke u pasuruar (ani pse ankohet gjithë ditën shumë më tepër sesa ata që janë të varfër). Po mirë, nëse nuk mund të identifikojmë ndonjë parti, institucion apo procedurë në Kosovë për të cilën do të mund të themi se është njëmend demokratike, a ka ndonjë interval kohor demokratik në Kosovë? Pra, nëse s'paskemi demokraci në hapësirë dhe në strukturë, a kemi demokraci në kohë? Po, ama fare shkurtimisht. Demokracia në Kosovë është fotografi. Demokracia është çast. Nuk është e vërtetë se demokraci kemi vetëm një ditë në katër vjet, pra atë ditë kur qytetarët votojnë. As ajo ditë s'duket kaq mirë. Qytetarët e Kosovës kanë demokraci vetëm një sekondë në katër vjet (apo aq shpesh sa kemi zgjedhje) - në momentin kur qytetari që voton e ka fletën e votimit përgjysmë brenda kutisë së votimit dhe ende nuk e ka lëshuar atë. Një sekondë më herët, s'ka demokraci: qytetari votues paradoksalisht e ka mundësinë e kontrollit të pushtetit që s'është edhe kontroll i pushtetit. Një sekondë më vonë pushteti tashmë është shumë larg prej qytetarit, ai i ka dalur dore atij sikurse fleta e votimit: kandidatët që do të fitojnë në fund i ndanë një humnerë e tërë prej qytetarëve - humnerë izoluese materiale dhe institucionale. Me paratë që kanë, ata do të jetojnë në një botë tjetër; e, nëse vendosin të zbresin në botën e qytetarit, atëherë këtë e bëjnë duke qenë në makina të blinduara e të rrethuar me truproje, plotësisht të izoluar me këto prej qytetarit. Pushtetari gjithmonë bëhet i paarritshëm. Pushtetari është i paarritshëm. Të gjithë e kemi parë se si kur vetë kandidatët votojnë, ata e mbajnë pezull fletëvotimin që të kapen sa më gjatë nga aparatet fotografike të gazetarëve. Thuajse pavetëdijshëm dëshirojnë ta zgjasin sekondën e demokracisë. Thuajse pavetëdijshëm na e zbulojnë të vërtetën: demokracia është çast, demokracia është fotografi. Secila fushatë dhe secila parti po na e konfirmon që partitë politike në Kosovë janë thelbësisht demobilizuese. Ato i thonë qytetarit: ti rri, dhe unë ta sjell rrymën, ujin, vendin e punës, parkun, kanalizimin, etj. I premtojnë mospunë qytetarit, e inkurajojnë atë të mbetet spektator, sepse e cilësojnë qytetarin si një dembel injorant, të reduktueshëm në dembelinë e tij injorante. Politikanë të sinqertë dhe të vërtetë janë vetëm ata që u thonë qytetarëve se nuk mund t'ua përmbushin premtimet pa u bërë aktivë edhe vetë qytetarët. Pra, një demokraci ku qytetari është pjesëmarrës e jo spektator i cili pret ta përfaqësojnë. Me një qytetar spektator dhe pasiv nuk ecet para. E, me politikanë që e duan dhe i mirëmbajnë qytetarët pasivë në tribuna, ecet veçse mbrapa. Pa një rizgjim shoqëror e kombëtar, i cili do të na shpijë drejt situatës ku politikanët i frikësohen qytetarëve e jo anasjelltas siç është rasti tani, demokracia do të jetë sundim mbi popullin, e jo sundim i popullit. Me këso zgjedhjesh, me këto zgjedhje lokale, nuk zgjidhet asgjë. Ato janë pjesë e problemit.