Tiranë, 6 Nëntor NOA - Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë shprehu sot qëndrimin mbi incidentin Taçi-Baze duke kritikuar dhunën por dhe vlerësuar të papranueshëm, burgimin e Taçit dhe akuzuar median se po shipf vazhdimisht ndaj biznesmenëve.
Kryetari i papranuar nga qeveria i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, deklaroi mesditën e sotme, se ka ndjekur gjithë këto ditë me shqetësim situatën pas incidentit të ndodhur në një nga lokalet e kryeqytetit mes sipërmarrësit Rezart Taçi dhe botuesit Mero Baze.
"Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është në mënyrë të padiskutueshme kundër çdo lloj dhune të ushtruar ndaj çdo qytetari në çfarëdo rrethane, e aq më tepër kur bëhet fjalë për median e lirë".
"Por nga ana tjetër, - vijoi Jaka, - nuk mund të jemi indiferentë ndaj faktit se njëri prej sipërmarrësve të njohur të vendit sot është në qeli, pa menduar pasojat ekonomike qe mund te sjellë kjo situatë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë si përfaqësuesja legjitime e biznesit, - theksoi Jaka, - e sheh të arsyeshme që sot më shumë se kurrë duhet të mbrohen njëlloj dhe me të njëjtin seriozitet si të drejtat e biznesit ashtu dhe të drejtat e mediave.
"Ne jemi kundër çdo lloj abuzimi me lirinë e mediave, jemi kundër cenimit të integritetit të kujtdo e aq më tepër të sipërmarrësve të cilët edhe për misionin që kanë marrë, shpesh bëhen pre e abuzimeve. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje, por dhe e inkurajojmë organet kompetente që të jenë sa më të drejta në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në vendimet që duhet të marrin", - apeloi z.Jaka.
Ai vlerësoi më tej se biznesi ka rol vendimtar dhe të padiskutueshëm në zhvillimin dhe integrimin e shoqërisë shqiptare.
Ndaj tha se nuk është rastësi, se ashtu siç flitet për liri të mediave kërkohet dhe klimë e përshtatshme për biznesin. "Por, nëse ne goditemi në mënyrë të vazhdueshme me shpifje personale, nëse ne goditemi publikisht për shkaqe politike, nëse ne jemi pre e interesave të ngushta private, kjo nuk i shërben as progresit dhe as integrimit", - deklaroi Jaka, duke iu referuar kështu debateve që ka me qeverinë që nuk e konsideron kryetar të DHTT.
"Liria e medias është shtyllë e demokracisë dhe ne së bashku po ndërtojmë një vend ku të respektohen të drejtat dhe liritë e çdo qytetari. Ndaj do të kërkoja nga ju përfaqësues të medias, më shumë profesionalizëm, më shumë etikë, për të mos e bërë këtë profesion të shenjtë vegël në duar të interesave të vogla. Roli i mediave është shumë më i madh dhe shkon në një linjë me qëllimet dhe objektivat e biznesit", - deklaroi në përfundim Jaka.
e.r/NOA - Lexoni më shumë mbi debatin për Jakën:
Prifti: Nuk e njohim Jakën si kryetar të Dhomës së Tregtisë
METE: Zgjedhja e Jakës në DHTI, jo e rregullt
METE: Nuk e pranojmë Jakën, në krye të DHTT
Uldedaj i lë postin Jakës, burgosur për korrupsion
Jep dorëheqjen kreu i Dhomës së Tregtisë në Tiranë