English

Konfindustria Shqiptare: Dënojmë shpifjet për qëllime të ulëta përfitimi

Tiranë, 6 nëntor NOA - Konfindustria Shqiptare, si përfaqësuese e Industrialistëve të Shqipërisë, u shpreh sot pasdite e shqetësuar për zhvillimet e fundit, në lidhje me ngjarjen midis biznesmenit Rezart Taçi dhe gazetarit Mero Baze.

Organizmi i biznesit ka theksuar respektimin maksimal ndaj shtypit të lirë, dënon praktikat që janë shfaqur në lidhje me shpifje për qëllime të ulëta përfitimi ndaj bizneseve që kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë të vendit.

"Mbi 90% e kontributeve ndaj shtetit e jep biznesi privat dhe në mënyrë të veçantë bizneset e mëdha, ku këtu hyn edhe z. Rezart Taçi, Presidenti i Nderit i Konfindustrisë Shqiptare", - deklaroi Presidenti i Konfindustrisë Shqiptare, Ing. Hajredin Fratari.

Ai shtoi se integriteti moral i Rezart Taçi-it, vlerat e tij morale dhe impreditoriale, sfida e tij për një biznes të qëndrueshëm, e krahasuar me biznese VIP jo vetëm në Shqipëri, tregojnë jo vetëm përkushtim dhe përpjekje në rritje të biznesit, por edhe maturim në sfidën e vështirë të të bërit biznes.

"Integriteti dhe fuqia e biznesit që Rezart Taçi zotëron dhe përfaqëson duhet përkrahur dhe jo denigruar, duhet internacionalizuar dhe jo mbyllur", - vijoi Fratari.

Konfindustria Shqiptare thekson, respektimin ndaj shtypit të lirë, dhënien dhe informimin publik brenda kufijve ligjorë dhe dënon fort raste të informimit joreal, për qëllime të ulëta përfitimi.

Për Fratarin, "klima e biznesit ndaj një situate dhe presioni të tillë ku biznesi ndjehet i informuar jo realisht, në emër të pseudo-shtypit të lirë, krijon një imazh negativ ndaj biznesit, jo vetëm shqiptar, por edhe atij të huaj".

Duke përfunduar reagimin, Konfindustria Shqiptare shpreh "edhe njëherë shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit midis medias dhe biznesit dhe siguron mbështetje në zhvillimin e një klime të shëndetshme për biznesin në misionin e tij si dhe në informimin real, konform ligjeve të vendit dhe standardeve evropiane".

f.sh/NOA

KOMENTE