Podgoricë, 6 Nëntor NOA - Tre marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar sot në Podgoricë, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në kuadër të vizitës që po zhvillon në shtetin fqinj, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Zyrtari shqiptar dhe homologu i tij malazez, z. Roçen, nënshkruan marrëveshjen mbi "Lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve", Marrëveshjen e "Ripranimit" dhe marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez".
Këto marrëveshje janë një hap më tej në fushën e rendit dhe të sigurisë, dispozitat e të cilave janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Me anë të këtyre marrëveshjeve, jo vetëm sigurohet vazhdimësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy vendeve, por edhe garantohet siguria e kufijve duke parandaluar trafiqet ilegale apo lëvizjet dhe qëndrimin e paligjshëm të personave në territoret e vendeve respektive.
Duke i konsideruar marrëveshjet e nënshkruara sot si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Meta u shpreh për përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe malazeze se "në të ardhmen do të hartohen edhe shumë projekte të përbashkëta në fushat e mjedisit, energjetikës, arsimit dhe kulturës".
a.b/f.sh/NOA
Lexoni më shumë mbi argumentin:
Meta-Roçen: Mali i Zi nuk do të ndryshojë regjimin e vizave me Shqipërinë